Socialistët dhe demokratët janë gati që të ulen në tryezën për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
Komisioni i posaçëm për reformën zgjedhore u ngrit që në nisje të seancës së kësaj të hëne, me 113 votat e socialistëve dhe të demorkatëve, pas dakordësisë së arritë më parë për përbërjen e tij.
Por jo i gjithë Parlamenti ishte pro asaj që kanë dakordësuar dy partitë e mëdha. Të përfaqësuarit, grupi i Aleancës për Ndryshim dhe i Partisë së Lirisë u shprehën pro. Ndërsa partitë që nuk kanë të drejtë votë por vetëm propozimesh, si Lëvizja Bashkë e Arlind Qorit, u shprehën kundër. Ana Dajko e “Shqipëria bëhet” mungoi.
“Përjashtoni nga e drejta e votës parti parlamentare si me qenë ndonjë OJF apo institucion që është aty për të dhënë ca propozime apo për të dhënë mend”.
Dy votat e tjera kundër ishin të Partisë Mundësia, pavarsisht se ata janë pjesë e Komisionit dhe kanë të drejtën e votës. Por problemin Agron Shehaj e kishte se nuk e kishin pyetur atë për përfaqësim.
“Na kanë përfshinë pa na pyetur, e morëm vesh nga lajmet.”
Por përbërja e Komisionit është publike që prej së premtes dhe Agron Shehaj priti 3 ditë që të shprehte pakënaqësinë e tij dhe të akuzonte dy partitë e mëdha se po bëjnë pazare.
“Keni vjedhur bashkë për 30 vjet. doni të vrisni partitë e vogla.”
Të djathtët nuk reaguan për akuzat e ish-deputetit të tyre, Taulant Balla i kujtoi Shehajt se raportet e tij me PD-në ndryshojnë nga një ditë në tjerën.
“Ditën takohesh me këta për kandidatë, vjen këtu dhe i shan”
Berisha anashkaoi Shehajn dhe preferoi të flas për raportin e OSBE/ODIHRIT dhe gadishmërinë për ti reflektuar rekomandimet.
“Ne ndihemi të detyruar ndaj tyre që rekomandimet e drejta t’i kthejmë në ligj”
Opozitarëve të pakënaqur iu përgjigj bashkëdrejtuesi socialist i komisionit, Damian Gjiknuri.
“Të gjithë partitë janë të përfaqësuara. Çështja e votës është irrelevante se ky komision sui generis, nuk ka një lloj të tillë në parlamentin shqiptar, votën e ka të barazvlefshme me veton e bashkëkryetarit. Veton dhe votën e kanë dy forcat e mëdha.”
Në Parlament u vota dhe ngritja e komisionit për Reformën Territoriale, me 115 vota pro dhe 3 kundër të Shehajt, Kapirt dhe Redi Mucit të Lëvizjes Bashkë.
Në këtë komision Shehaj nuk ka vend, ndërsa socialistët dhe demokratët kishin futur ne parlament një projekvendim te ri, me përmbajtje të ndryshuar nga ai që ishte bërë publik të premten.
PD që më parë kishte vendin e nënkryetarit në komision, në dokumentin e dakordësuar së fundimi u vendos në pozita bashkëdrejtimi me PS.
Këtu nuk përmendet vetoja nga bashkëkryetarët por saktësohet se edhe në këtë Komision synohet arritja e konsensusit për ndryshimin final të ndarjes territoriale.
“Mbledhjet e Komisionit janë të vlefshme kur në to marrin pjesë më shumë se gjysma e anëtarëve të tij. Komisioni synon që vendimmarrja të arrihet me konsensus për të gjitha çështjet që shqyrton. Për çështje të veçanta për të cilat nuk kanë gjetur konsensus do të vlerësohet dhe mund të kërkohet ekspertiza e Komisionit të Venecias dhe Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës”
Në këtë Komision socialistët kanë të 8 karriget e radhëve të maxhorancës, ndërsa demokratët kanë mbajtur 6 vende dhe ia kanë lënë dy aleatëve të tyre, 1 Fatmir Mediut dhe një Partisë së Lirisë.

