Mirabelli jep formulën: Ka vetëm një mënyrë për të rinovuar me Donnarumman

schedule17:21 - 7 Prill, 2021

schedule 17:21 - 7 Prill, 2021

Rinovimi me Gigio Donnarummën është një nga çështjet më të komplikuara që duhet të zgjidhë Milani. 22-vjeçari, një nga portierët më të talentuar në planet, del lojtar i lirë në fund të sezonit. Klubi dëshiron të rinovojë me të, vetë “gardiani” ka dëshirë të qëndrojë, por në mes është Mino Raiola.

Të bindësh këtë agjent është një mision shumë i vështirë, edhe pse dyshja Maldini-Massara nuk e kanë humbur optimizmin në lidhje me gjetjen e akordit. Massimiliano Mirabelli, ish-drejtori sportiv i Milanit, tregohet i prerë në prononcimin e dhënë për të përditshmen Libero.

Nuk arrij ta kuptoj se si Milani arriti deri në këtë pikë, nuk është koha dhe momenti i duhur, është absurde të merresh tani me rinovimin e Donnarumma. Kontrata me të duhej rinovuar dy vite më parë, është abc-ja e futbollit. Kuqezinjtë kanë kryer një gabim shumë të madh.

 

Mirabelli, Donnarumma dhe Fassone

Kur rinovova unë me Gigion, u kujdesa shumë edhe për detajet më të vogla. Portieri bënte postime në rrjetet sociale, teksa më vonë fshiheshin. E dini pse? Mino Raiola e detyronte të shkruante, ndërsa unë ia fshija postimet. Momenti final i rinovimit ishte momenti vendimtar.

Isha me Gigion, familjen e tij dhe agjentin. Raiola u çua në këmbë në një moment dhe tha: nuk do të rinovojmë, le të ngrihemi e të ikim. Sapo ai u largua, Gigio mori stilolapsin dhe firmosi rinovimin e kontratës, pa praninë e Minos aty.

Raiola është i aftë, ai ka fituar duke e dërguar situatën e rinovimit deri këtu. Ai duket si një maniak, por po të isha akoma pjesë e Milanit do e vendosja me shpatulla pas murit. Do i flisja shkurt dhe qartë, duke ia bërë të qartë që Gigio është i paprekshëm.

Ose rinovon me Milanin ose asnjë lojtar i Raiolës nuk do të luajë më me këtë ekip. Duhet kurajo t’ia thuash këto fjalë, por është e vetmja mënyrë në këtë moment. Milani duhet të tregojë më shumë respekt për veten“, deklaron ish-drejtuesi i “Djallit”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!