Miqësorja, Sarri: Cristiano Ronaldo dhe De Ligt do të luajnë

schedule23:12 - 20 Korrik, 2019

schedule 23:12 - 20 Korrik, 2019

Trajneri i Juventusit, Maurizio Sarri ka theksuar para ndeshjes miqësore me Tottenham se Cristiano Ronaldo dhe De Ligt do të luajnë nga minuta e parë.

Skuadra e Juventusit do të luajë testin e parë miqësor në turin përgatitor në Singapor. Tottenham është kundërshtari i Juventusit në sfidën, e cila do të startojë të dielën në orën 13:30. Trajneri i Juventusit, Maurizio Sarri doli në konferencën e zakonshme për shtyp një ditë para ndeshjes ku zbuloi detaje rreth formacionit dhe mundësitë për të transferuar mesfushorin e Manchester United, Paul Pogba.

“Duhet të kthemi në një skuadër argëtuese. Njerëzit që argëtohen në futboll kanë më tepër produktivitet në lojë. Këtu është një ambient i qetë dhe ka gatishmëri nga të gjithë. Për duelin ndaj Tottenham mendoj se nuk do të zhvillohet një ndeshje e bukur. Kushtet klimatike janë të vështira dhe do të përballen dy skuadra të lodhura pasi jemi në fazën përgatitore. E rëndësishme në këtë ndeshje është aspekti mental i lojtarëve. De Ligt nuk është stërvitur me skuadrën, por ai do të jetë pjesë e lojës. Jemi më mbrapa Tottenham-it me përgatitjet. Ronaldo do të luajë titullar.Është mjaft i fortë dhe mund të luajë në të gjitha pozicionet e sulmit. Të shohim çfarë paraqitje do të bëjë në majën e sulmit. Pogba është një futbollist që më pëlqen shumë, por nuk mund të them asgjë më tepër. Ai është një futbollist i një skuadre tjetër dhe unë nuk jam drejtor sportiv dhe s’e njoh mirë situatën”, tha Sarri.

Paulo Dybala është futbollisti i vetëm që mungon në radhët e Juventusit në përgatitjet parasezonale. Argjentinasi do t’i bashkohet grupit me vonesë pas impenjimit me kombëtaren e Argjentinës në Kupën e Amerikës./ABC News Albania 24/7