Miqësorja e dytë / Shqipëria U-15 fiton me rezultatin 2-0 ndaj Maqedonisë së Veriut

schedule19:36 - 24 Gusht, 2024

schedule 19:36 - 24 Gusht, 2024

Kombëtarja shqiptare U-15 luajti pasditen e sotme ndeshjen e dytë miqësore ndaj Maqedonisë së Veriut, në stadiumin “Skënderbeu” të Korçës.

Kuqezinjtë triumfuan në këtë takim me rezultatin 2-0 me golat e Haxhi Rrenës dhe Mattia Xhemalit.

Trajneri Armand Damo e nisi ndeshje ndaj Maqedonisë së Veriut me këtë formacion titullar: Bastian Brunga (GK), Eno Resuli, Joart Mile, Rian Neza, Denis Nikolli, Angelos Como, Erjon Vajushi, Alis Cela, Haxhi Rrena (C), Gentjan Sharka, Mattia Xhemali.

Ashtu si edhe në miqësoren e parë Shqipëria U-15 bëri një paraqitje shumë të mirë, duke dominuar lojën e duke krijuar vazhdimisht raste për shënim. Vetëm në pjesën e parë kuqezinjtë goditën tre herë shtyllën. Fillimisht me Erjon Vajushin në minutën e 7-të, ndërsa në të 15-ën me Haxhi Rrenën. Përsëri në fundin e fraksionit të parë Shqipëria u ndal nga shtylla, këtë herë ishte Gentjan Sharka për kuqezinjtë.

Djemtë e Damës e nisën mirë edhe pjesën e dytë, teksa trajneri kreu disa zëvendësime, duke aktivizuar lojtarë të stolit.

Shqipëria gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 57-të me Haxhi Rrenën. Sulmuesi kaloi mbrojtësin kundërshtar dhe me një gjuajtje të bukur zhbllokoi rezultatin.

Kuqezinjtë shënuan golin e dytë dhe të qetësisë në minutën e 76-të me Mattia Xhemalin. Më pas djemtë administruan fitoren dhe sfida u mbyll 2-0.

Dy miqësoret ishin një mundësi shumë e mirë për të testuar e vëzhguar nga afër lojtarët e grumbulluar. /FSHF

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!