Shqipëria U-19 ka zhvilluar sot miqësoren e dytë të programuar me Azerbajxhanin U-19, sfidë që përfundoi me rezultatin e barabartë 0-0. Trajneri Ervin Bulku bëri disa ndryshime krahasuar me ndeshjen e dy ditëve më parë, duke dhënë hapësira fillimisht një pjesë të lojtarëve të cilët nuk ishin titullarë në testin e parë.
Ndeshjen e luajtur në fushën e Shtëpisë së Futbollit, kombëtarja U-19 e nisi me këtë formacion: Klevi Totoshi, Klevis Haxhari, Arlind Kurti, Ermal Meta, Lindon Ajeti, Elton Fikaj, Ledjo Tresa, Jordi Jaku, Oresti Kasmollari, Dean Vranici, Erald Krasniqi.
Kuqezinjtë prodhojnë volum loje dhe kanë epërsi në zotërimin e topit, duke qenë të rrezikshëm në disa raste me dy sulmuesit, Ledjo Tresa dhe Erald Krasniqi. Gjithsesi, edhe Azerbajxhani në anën tjetër arrin të krijojë raste, por pa arritur të gjejë rrugën e rrjetës, me të dyja skuadrat që kujdesen shumë për në mbrojtje.
Pjesa e parë mbyllet në barazim 0-0, ndërsa me nisjen e pjesë së dytë nisin edhe zëvendësimet e para, me dy trajnerët që rifreskojnë forcat në fushë. Kuqezinjtë janë sërish të rrezikshëm me Krasniqin në disa raste, por sërish goli nuk vjen. Rastet më të pastra i ka Azerbajxhani në këtë fraksion loje, që godet dy herë shtyllën. Në shtesë është Jaku që ka një rast të mirë për të vulosur ndeshjen me gjuajtjen e tij që përfundon jashtë.
Mbyllet kështu 0-0 miqësorja e dytë, ndërkohë që ndeshja e parë e luajtur dy ditë më parë në Elbasan Arena u fitua 2-0 nga Shqipëria U-19, falë dopietës së realizuar nga Flavio Sulejmani. Dy teste të vlefshme për trajnerin Bulku, i cili pati mundësi të shikonte nga afër gjendjen e ekipit në prag të përgatitjeve për kualifikueset e Europianit të kësaj grup-moshe në nëntor.
Shorti i UEFA-s e ka pozicionuar Kombëtaren shqiptare U-19 në Grupin 13, së bashku me Irlandën, Belgjikën dhe Slloveninë, ndërsa ndeshjet e këtij grupi do të zhvillohen në vendin tonë në datat 15, 18 dhe 21 nëntor 2023. /FSHF