Miqësoret ndaj Turqisë U-19, Bulku: Morëm sinjale pozitive nga skuadra

schedule13:56 - 20 Tetor, 2023

schedule 13:56 - 20 Tetor, 2023

Shqipëria U-19 përmbylli ndaj Turqisë testet miqësore për këtë vit, në kuadër të përgatitjeve për ndeshjet kualifikuese të raundit të parë për Kampionatin Europian për këtë grupmoshë. Skuadra e drejtuar nga trajneri Ervin Bulku mori një barazim dhe një humbje përballë përfaqësueses turke. Por pavarësisht rezultateve, tekniku kuqezi thekson në një prononcim për fshf.org se stafi mori sinjalet që priste nga skuadra shqiptare dhe vlerëson paraqitjen e ekipit të tij.

“Duke parë dy ndeshjet përpara Turqisë, ato ndaj Azerbajxhanit, skuadra u paraqit shumë më ndryshe. Një skuadër me grintë dhe që luftoi përballë një kundërshtari që kualifikohet gjithmonë në Elite Round. Dihet forca e Turqisë, por ne bëmë një paraqitje shumë të mirë. Ndeshjen e parë mund ta kishim fituar me pak kujdes, por edhe barazimi është mjaft i mirë. Morëm ato sinjale që prisnim nga çunat”,- u shpreh Bulku, i cili nënvizon se kjo është me 90% skuadra që do të përfaqësojë Shqipërinë në kualifikueset e ardhshme të Kampionatit Europian për grupmoshën U-19.

Tekniku kuqezi bën gjithashtu thirrjen ndaj shtetit dhe Presidencës shqiptare për të pajisur me pasaporta katër futbollistë shqiptarë që janë pjesë e rëndësishme e këtij ekipi.

“Mendoj që me 90% skuadra do të jetë e njëjta. Për momentin po presim që të pajisen me pasaporta katër futbollistë që janë pjesë e rëndësishme e grupit tonë. Shpresojmë edhe në bashkëpunimin e shtetit dhe Presidencën që t’i pajisim këta djem me pasaporta brenda muajit nëntor, që të jenë të gatshëm për t’u angazhuar në eliminatoret e Kampionatit Europian. Kemi formuar një grup ku mendojmë që mund të përballojmë me sukses ndeshjet e Europianit ku do të bëjmë të pamundur që të kualifikohemi. Do të jemi të kujdesshëm që ta përgatisim skuadrën shumë mirë nga ana psikologjike dhe taktiko-fizike”,- tha trajneri Ervin Bulku. /FSHF

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!