Vitin e kaluar bënë bujë me miqësoren e “luksit” kundër “Zikaltërve” të Inter, mirëpo duket se nuk mbaron me kaq.
Përveç kualifikueseve për kupat e Evropës, tashmë “Rrogozhinasit” e Egnatias kanë filluar edhe përgatitjet për sezonin e ri të Superiores, ku këtë herë fillojnë edicionin, si kampionët në fuqi dhe për këtë arsye përgatitjet e tyre, duhet të jenë të denja, për një ekip kampion.
Kështu, pas “Zikaltërve” të Inter, djemtë e teknikut Edlir Tetova tashmë do të sfidojnë një tjetër “gjigant” të futbollit italian, “Blutë” e Napoli, teksa gjithçka është programuar të zhvillohet mbrëmjen e 28 korrikut, në kampin stërvitor, të “Të Kaltërve”.
Fillimisht ishte parashikuar që kundër Napoli të vendoseshin turqi e Adana Demirspor, mirëpo për shkak të disa problemeve organizative, turqit nuk do të luajnë këtë ndeshje dhe nga kjo hapësore përfitoi Egnatia për të zhvilluar një tjetër miqësore luksi me një emër të njohur dhe prestigjioz të Serie A.
Ndërkaq, kujtojmë se më datë 25 korrik, Egnatia do të zhvillojë ndeshjen e parë të raundit të dytë në Conference League në transfertën islandeze ndaj vendasve të Vikingur, ndërsa ajo e kthimit është parashikuar të luhet më datë 1 gusht. /i.m /abcnews.al