TIRANË- “Protesta i mori territor opozitës”, kështu u shpreh analisti Skënder Mixhozi në një intervistë në “Tirana Live” në ABC News, ndërsa foli për zhvillimet e fundit në vend.
Sipas analistit, opozita është identifikuar gjithnjë e më shumë me protestën, duke humbur një pjesë të rolit të saj politik dhe publik.
Ai solli në vëmendje edhe ndryshimin e qëndrimit të Sali Berishës, i cili fillimisht e kishte sulmuar protestën, ndërsa më pas u bëri thirrje strukturave të opozitës t’i bashkoheshin asaj.
Ai vlerësoi se situata ka krijuar një paradoks për opozitën, pasi ajo është përfshirë në një protestë që nuk kontrollohet prej saj dhe që, në raste të caktuara, ka edhe kërkesa kundër drejtuesit të saj.
Në këtë kuadër, Minxhozi theksoi se ndikimi i protestës nuk është ndjerë vetëm te qeveria, por edhe te opozita.
“Unë mendoj që opozita është krejt jashtë loje. Dalja në skenë e protestës, zuri fushën e lojës të opozitës. Opozita është detyruar të thellë këmbët sipas ritmit të daulles së protestës. Ka pranuar fundin e saj, pra identifikohet me protestën dhe në planin e imazhit publik, protesta i ka zënë një territor të konsiderueshëm opozitës. Në fillim Berisha e sulmoi protestën, më pas ftoi të gjitha strukturat t’i bashkohen. Pra një opozitë që identifikohet me protestën. Por protesta kujtoj që fton përditë të futet në burg vetë kreu i opozitës. Opozita më shumë se sa qeveria ka pësuar goditjen e protestës”, u shpreh ai.
/abcnews.al/


