TIRANË- Gazetari dhe analisti Skënder Minxhozi, i ftuar në emisionin “Real Story”, tha se paqtimi i marrëdhënieve shqiptaro-greke nuk mund të arrihet nëse në tryezë nuk vendosen të gjitha çështjet problemore.
Ai theksoi se në kohën kur Ditmir Bushati drejtonte Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë janë bërë përpjekjet më serioze të 34 viteve të fundit për të gjetur një zgjidhje për çështjet mes Greqisë dhe Shqipërisë.
Sipas Minxhozit, në kohën e Bushatit, të gjitha temat u shtruan në tavolinë dhe u fol hapur pavarësisht se nuk pati sukses në fund.
“Unë mendoj sa vijon në lidhje me gjendjen aktuale të marrëdhënieve. Së pari, dy shtete kanë kaluar një klimë tensioni mes tyre, nuk janë qeveri mike, jo vetëm ideologjikisht, po nuk duhen, pro kanë rënë dakord që në listën e madhe të problemeve, kanë vendosur që marrëdhëniet e ditës dhe ato korente t’i kenë korrekte, mos bëjnë më luftë dhe këtë paketën pastaj t’ia shtyjmë dhe njëherë historisë, siç kanë bërë gjithë qeveritë e tjera. Do të thotë se marrëdhëniet shqiptaro-greke, pjesa problemore e tyre është ende në frigorifer. U përpoqën me dora dorës, qeveri të ndryshme, ku bën pjesë Berisha, Nano më parë, Majko, Meta, por përpjekjet më serioze kanë qenë Bushati-Kotzias. Aty u hodh në zgarë i gjithë mishi për t’u pjekur, të hapura, shumë të hapura”, tha ai.
Më tej, Minxhozi pohoi se: “Dy qeveritë kanë qenë në dialogun më të hapur në këto 34 vite në gjithë gamën e problemeve dhe në këtë pikë dua t’u them një gjë, që e mendoj dhe e kam bindje, me aq sa unë i njoh marrëdhëniet. Nëse dy shtetet do shkojnë dhe ti kërkojnë njëri tjetrit vetëm një çështje për të zgjidhur, shanset e zgjidhjes janë zero. Nuk diskutohet një çështje, sepse diskutimi i të parës e nxjerrë të dytën, e kështu me radhë shkojmë deri tek e dhjeta. Nëse do ketë një zgjidhje të marrëdhënieve shqiptaro-greke në rrugën e duhur dhe një paqtim, do duhet që e gjithë gama e problemeve të përballohet ashtu siç u përpoqën të bëjnë Bushati me Kotzias, ndryshe nuk do ketë zgjidhje”, tha ai./abcnews.al