Ministrja Koçiu: Mbështetje për kujdestarët që kujdesen për personat me aftësi të kufizuar

schedule15:11 - 4 Dhjetor, 2024

schedule 15:11 - 4 Dhjetor, 2024

Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu ka deklaruar se qeveria ka vendosur që të ketë një mbështetje përmes një page për kujdestarët që kujdesen për personat me aftësi të kufizuar.

“Duke konsideruar që dje ishte data 3 Dhjetor, Dita Ndërkombëtare e Personave me aftësi të kufizuar, një ditë e cila na kujton se të gjithë duhet të jemi të barabartë dhe të ndihmojmë edhe ata që në një moment të caktuar të jetës së tyre kanë një vështirësi apo që nuk kanë të njëjtat aftësi për të përballuar jetën e tyre, në vazhdën e mbështetjes dhe të solidaritetit jo vetëm me personat me aftësi të kufizuar, por me të gjithë ato shtresa në nevojë për të cilët duhet mbështetje e vazhdueshme me shërbime sociale shëndetësore dhe me mbështetje financiare, qeveria ka vendosur sot që të rrisë masën e mbulimit për paketën higjieno-sanitare për personat para dhe tetraplegjikë. Një vendim i rëndësishëm nëse konsiderojmë që ky target grup është gjithashtu pjesë e këshillit kombëtar të personave me aftësi të kufizuar me të cilët patëm sot një diskutim shumë të për të diskutuar mbështetjen e vazhdueshme dhe të domosdoshme të kësaj kategorie.

Janë plot 18 mijë kujdestarë personal për të cilët MSHMS është duke punuar për të lancuar figurat e reja profesionale. Figura e ndihmësit personal apo e kujdestarit personal është një figurë të cilën së bashku me asistencën dhe projektet e BE jemi duke punuar për ta lancuar si një figurë profesionale e cila përveç aftësimit, trajtimit, do duhet të mbështeten financiarisht për pagën dhe sigurimet shoqërore dhe shëndetësore.

Janë të gjitha këto punë dhe përpjekje që vijnë në vazhdën që edhe të Buxheti të vitit 2025 i cili u miratua dje në Kuvend,  vijon të mbështesë komplet ombrellën sociale”, tha ajo pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë.

Më tej, e pyetur për mungesën e barnave tumorale, Koçiu u shpreh: “Ndërsa, barnat tumorale janë një element i rëndësishëm që të sëmurët që vuajnë nga këto sëmundje. Qendra Shëndetësore Nënë Tereza ka marrë përsipër furnizimin dhe ne jemi të angazhuar për të vazhduar furnizimin periodik për të gjithë qytetarët që preken nga këto sëmundje”./abcnews.al