Universiteti i Tetovës është kthyer në skenën e radhës ku shqiptarët dhe gjuha shqipe nuk respektohen, madje përbuzen nga zyrtarët e lartë të qeverisë së drejtuar nga Hristian Mickoski.
Një ditë më parë, aty është mbajtur një debat për ligjin e ri për arsim të lartë, në të cilin ka marrë pjesë edhe ministrja, Vesna Janevska. Pas debatit për ligjin, Janevska pati një përplasje verbale me gazetarët për shkak të gjuhës shqipe dhe kërkesës së saj që çdo gjë të përkthehet në gjuhën maqedonase.
Gazetarët kërkuan që ministrja Janevska të ketë përkthyesin e saj, ndërsa ajo u përgjigj që gjuhë zyrtare në vend është gjuha maqedonase.
Në një lidhje me ‘skype’ në emisionin “Balkan Update” në ABC News analisti Sefer Selimi analizoi këtë situatë, duke thënë se në Maqedoninë e Veriut, ‘janë peng i kompleksitetit dhe dyshimeve rreth identitetit maqedonas’
Gjithashtu gjatë intervistës, ai nënvizoi se vetë kryeministri Mickovski ka treguar një sjellje arrogante ndaj çështjeve të tilla.
Po ashtu shtoi se përfaqësimi i shqiptarëve është kthyer në një karikaturë të neveritshme
“Kjo që ndodh me ministren është ripërsëritje e asaj që ndodhi disa muaj më parë ku në prani të kryebashkiakut të Tetovës e pati të njëjtën sjellje. Ajo nxjerr në pah urrejtjen e saj ndaj gjuhës shqipe. Kjo deklaratë lëshohet pikërisht në këtë universitet me rëndësi. Duhet thënë që Mickovski fushatën e tij e ka ndërtuar në luftimin e asaj që ai e quante ‘shqiptarëzimin e Maqedonisë’ duke ngritur shqetësimin e shqiptarët po fuqizohen brenda RMV. Por kjo realisht po ndodh. Do thoja edhe se ka nisur rizgjimi i shoqërisë shqiptare dhe ky është lajm i mirë. Ata janë të mbushur me urrejtje ndaj Gjuhës Shqipe”, tha ndër të tjera ai./abcnews.al/


