Ministrja e Drejtësisë i bën kërkesë Serbisë: Dy të burgosurit shqiptarë të transferohen në Kosovë

schedule19:14 - 12 Mars, 2023

schedule 19:14 - 12 Mars, 2023

Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu i ka bërë një kërkesë Ministrisë së Drejtësisë në Serbi, që dy qytetarë, të cilët janë duke vuajtur dënim në shtetin serb, të transferohen në Kosovë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Haxhiu u shpreh se bëhet fjalë për Nezir Mehmetaj dhe Petrit Dulan. Aktualisht, ata po mbahen në Serbi mbi pretendimet për kryerjen e krimeve të luftës kundër popullatës civile në Kosovë gjatë vitit 1999.

Sipas Haxhiut, procesi i deritanishëm ndaj tyre është i përbërë nga shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.

“Javën e kaluar kam kërkuar nga Ministrja e Drejtësisë në Serbi që dy qytetarët tanë t’i transferojë në Republikën e Kosovës.  Nezir Mehmetaj dhe Petrit Dula mbahen në Serbi mbi pretendimet për kryerjen e krimeve të luftës kundër popullatës civile në Kosovë gjatë vitit 1999.

Z.Mehmetaj dhe z.Dula janë qytetarë të Kosovës pra edhe nën mbrojtjen e Republikës. Procesi i deritanishëm ndaj dy qytetarëve të Republikës së Kosovës është i përbërë nga shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, për vite të tëra. Çdo akuzë ndaj tyre për krimet e pretenduara, duhet trajtuar nga organet e drejtësisë në Republikën e Kosovës”, shkroi Haxhiu në Facebook.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!