Ministria për Ujësjellësin e Durrësit: S’ka faliment, por riorganizim. Shoqëria e re ofron shërbim në Kavajë, Rogozhinë e Shijak

schedule19:33 - 2 Gusht, 2023

schedule 19:33 - 2 Gusht, 2023

Ujësjellës Kanalizime Durrës do të shkrihet në një Shoqëri Rajonale që nuk do mbulojë më vetëm Durrësin, por do të operojë edhe në Kavajë, Shijak dhe Rrogozhinë.

Përfundimi i aktivitetit dhe prishja e shoqërisë aktuale te ujësjellësit është vendosur nga Asambleja Aksionare e ktij institucioni që në maj të këtij viti.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë sqaroi të mërkurën se ky vendim nuk ka lidhje me falimentimin e Ujësjellësit, por me procesin e riorganizimit të shoqërive të Ujësjellës Kanalizimeve në të gjithë vendin që ka nisur që vitin e kaluar në bazë të një vendimi të Qeverisë Shqiptare për riorganizimin e këtij sektori.

“Më datë, 1 Janar 2023, Shoqëria Aksionare Ujësjellës Kanalizime Durrës ka transferuar aktivitetin në Shoqërinë Rajonale Ujësjellës Kanalizime Durrës SH.A., së bashku me shoqëritë e tjera Ujësjellës Kanalizime Krujë, Kavajë, Rrogozhinë, Shijak. Në procesin e transferimit, i cili është mbikëqyrur nga një grup ekspertësh kontabël, janë mbartur të gjitha asetet, të drejtat dhe detyrimet nga Shoqëritë e mëparshme të Ujësjellës Kanalizime në Shoqërinë e re Rajonale”

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë thekson se gjatë procesit të transferimit nuk ka pasur asnjë shuarje të të drejtave ose detyrimeve dhe se Ujësjellësi Durres është në mënyrë të vazhdueshme duke likujduar detyrimet e prapambetura.

Nga momenti i krijimit të Shoqërisë Rajonale Ujësjellës Kanalizime Durrës, nuk janë krijuar detyrime të reja për sigurimet shoqërore, pagat, dhe aktivitetin tregtar, dhe janë shlyer detyrime të prapambetura të shoqërive të transferuara në vlerën 374 milione lekeve.

Riorganizimi i shoqerive te ujwsjellws kanalizimeve konsiston në shkrirjen e 61 ish-shoqërive në varësi të bashkive të vendit dhe krijimin e 15 shoqërive të reja ku secila bashki është sërish aksionere, por me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë që është aksionerja kryesore me 51%./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!