Bashkimi Evropian ka aktivizuar mekanizmin e mbrojtjes civile për të ndihmuar Shqipërinë me qëllim kalimin e pasojave të tërmetit që goditi vendin pasditen e 21 shtatorit.
Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka dhe shefi i ekipit Peter Glerum dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp për të shpjeguar detajet.
“Dëmet që shkaktoi tërmeti ishin të konsiderueshme. Çdo vend qofshin ato shumë më të zhvilluara e të pasura por qofshin ato me një ekonomi më modeste se Shqipëria kanë vështirësi në përballimin e dëmeve që shkaktojnë ngjarje të kësaj natyre. Jam shumë mirënjohëse mekanizmit evropian të mbrojtjes civile për gjithë ndihmën dhe mbështetjen. E vlerësoj më shumë këtë mbështetje pasi Shqipëria nuk është e anëtarësuar në mekanizmin e mbrojtjes civile evropiane e megjithatë jemi dëshmitarë të një shfaqje kaq të bukur dhe domethënëse solidariteti“, tha Xhaçka.
Ndërkohë shefi i ekipit Peter Glerum tha se asistenca nga Kroacia ka mbërritur dhe se në ditët në vazhdim do të mbërrijnë edhe paketa të tjera për tu ardhur në ndihmë të prekurve nga tërmetet.
“Shqipëria që në fazat e para ka bërë një vlerësim shumë të hollësishëm e të mirë të nevojave dhe të dëmeve, në mënyrë që të jepet përgjigja dhe reagimi i duhur jo vetëm në mënyrë të shpejtë por pikërisht në ato gjëra që duhen. asistenca që po vjen dhe ka arritur tashmë në Shqipëri, si p.sh sot janë duke ardhur paketa nga Kroacia ndërkohë që javën e ardhshme ne do të shohim edhe paketa të tjera që do u shpërndahen qytetarëve të cilët kanë nevojë për to dhe që janë prekur nga tërmetet”, tha Glerum./abcnews.al