Një ditë pas konstituimit të Këshillit të ri Bashkiak, qeveria ka dhënë sinjalet se nuk e njeh Voltana Ademin si kryetare të Bashkisë së Shkodrës. Kryetarja në detyrë e Shkodrës ka denoncuar faktin se Ministria e Financave përmes Degës së Thesarit në Shkodër ka bllokuar procedurat e likuidimit për fondet dhe investimet.
Voltana Ademi i është drejtuar me një shkresë Ministres së Financave, Anila Denaj duke kërkuar zhbllokimin e fondeve, ndërkohë që për situatën ka vënë në dijeni edhe ambasadën e SHBA dhe ambasadat e vendeve të Bashkimit Europian në Shqipëri.
Ademi ka publikuar edhe korrespondencën me Drejtorinë e Thesarit e cila në rrugë zyrtare i bënte me dije se nuk e njeh më si kryebashkiake, pasi i ka mbaruar mandati.
Në shkresën drejtuar ministres Denaj, kryebashkiakja Ademi apelon që qeveria të tërhiqet sa më shpejt nga një qëndrim i tillë duke kërkuar të zbatohet vetëm ligji dhe jo orientimet partiake-politike. /ABC News Albania 24/7