Ministria e Brendshme e përzgjodhi/ Kush është Ilir Proda, kandidati që pret të emërohet në krye të Policisë së Shtetit

schedule14:26 - 30 Shtator, 2024

schedule 14:26 - 30 Shtator, 2024

TIRANË- Ministria e Brendshme i ka përcjellë qeverisë shqiptare emrin e Ilir Prodës, si një nga kandidatët më të vlerësuar për drejtimin e Policisë së Shtetit, pas dorëheqjes së Muhamet Rrumbullakut.

Kush është Ilir Proda?

Me një karrierë të gjatë prej 19 vitesh, Ilir Proda, aktualisht mbante postin e drejtorit të Policisë Elbasan. Ai ka nisur hapat në policinë e Shtetit në vitin 2005 fillimisht si specialist i policisë kriminale në komisariatin nr. 3.

Në vitin 2013, Porda u emërua shef komisariatit nr. 2 në Tiranë, detyrë të cilën e mbajti gati një vit dhe dy vite të tjera, deri në vitin 2016 shërbeu si shef i komisariatit të Bulqizës.

Tre vjet më parë, Proda mori gradën kryekomisar dhe u emërua zv.drejtor për hetimin e krimeve në Korçë. Më pas, po gjatë 2021, ai emërohet në po të njëjtën detyrë në Policinë e Elbasanit. Në Mars të këtij viti ai u emërua në krye të Policisë së Elbasanit.

Komisioni i Posaçëm i dorëzoi në bazë të ligjit Ministrit të Brendshëm listën me 5 kandidatët më të vlerësuar, ndërsa Ministria e Brendshme përzgjidhi Ilir Prodën, si kandidatin më të përshtatshëm për drejtimin e Policisë së Shtetit.

Filtrat që kaluan kandidatët

Komisioni i Posaçëm kreu verifikimin e pastërtisë së figurës për të gjithë kandidatët duke kërkuar të dhënat përkatëse nga organet ligjzbatuese, si vijon: Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Prokuroria e Përgjithshme, Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH), Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit (DPPSH), Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), Agjencia e Informacionit të Sigurisë së Mbrojtjes (AISM). /abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!