Ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu u takua të enjten në Lviv me homologun e tij ukrainas Dmytro Kuleba, një ditë pas vizitës së tij në Moskë, ku u takua me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov.
Çavuşoğlu tha: “Nëse arrihet një marrëveshje për çështjet për të cilat ne shohim një afrim, ekziston mundësia që dy liderë të takohen”, duke iu referuar presidentit rus Vladimir Putin dhe atij ukrainas Volodymyr Zelensky.
Ministri turk tha gjithashtu se shpresat e tij për një armëpushim u rritën pas takimit me të dyja palët, megjithëse “është e vështirë të flitet për këtë kur bëhet fjalë për luftën”. Ai shtoi se Ukraina kishte propozuar Turqinë dhe Gjermaninë si vende garantuese në një “marrëveshje të sigurisë”.
“Në bisedimet e mia të djeshme në Moskë, pashë se Federata Ruse nuk kishte asnjë kundërshtim për këtë dhe se ata mund ta pranonin një propozim të tillë”, tha Çavuşoğlu. Ai theksoi se një marrëveshje duhet të jetë e pranueshme për të dyja palët dhe popullin e tyre.
Çavuşoğlu tha gjithashtu se presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan foli me Putin të enjten. Sipas një deklarate të Drejtorisë së Komunikimeve të Turqisë, “Erdoğan përsëriti ofertën e tij për të pritur Putinin dhe Zelenskyn në Stamboll ose Ankara” gjatë bisedës së tij telefonike me Putinin, duke thënë se “konsensusi për disa çështje mund të kërkojë bisedime në nivel lidershipi”. /abcnews.al