Pas denoncimit të një qytetari në platformën e bashkëqeverisjes, u arrestuan 5 persona ndërmjet të cilëve edhe dy inspektorë të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në Shkodër për falsifikim të prodhimeve ushqimore. Komunikimin publik e bëri vetë ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi.
Niko Peleshi: “Po dal në këtë komunikim publik, mbas një rasti të konstatuar nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe pastaj mbështetur dhe nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Shkodër, në rrethin e Shkodrës, në qytetin e Shkodrës, ku është konstatuar një aktivitet në kundërshtim me ligjin, prodhim i paligjshëm, falsifikim i prodhimeve ushqimore”.
Kjo është një punë e përditshme e Ministrisë së Bujqësisë dhe nuk është as rasti i parë, as i fundit. Por vetë ministri thotë se ka një arsye të fortë për këtë dalje publike.
Niko Peleshi: “Dua të ritheksoj rëndësinë që për ne ka marrë dhe është duke marrë dita–ditës bashkëqeverisja me qytetarët, sepse e gjitha kjo ndodhi pas një denoncimi të thjeshtë qytetar. I thjeshtë, por që u kthye në një rast, i cili çoi atje ku duhet prodhuesit e paligjshëm. Janë arrestuar 3 persona”.
Në rastin konkret janë arrestuar nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor dhe 2 inspektorë të AKU-së. Kjo qasje do të vazhdojë siguroi ministri Peleshi me qëllim që të mos ketë paligjshmëri në fushën e sigurisë ushqimore, e cila është një komponent i sigurisë kombëtare./abcnews.al