Në një intervistë për mediat kosovare, ministri i Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Bajram Hasani, ka kundërshtuar tarifën e Rrugës së Kombit duke thënë se ajo është shumë e lartë, në një kohë që ministria që ai drejton po përpiqet të krijojë masa mbrojtëse për prodhuesit vendor.
Duke folur për problemet e prodhuesve të Kosovës brenda vendit dhe problemet me eksport në vendet e rajonit, ministri i Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Bajram Hasani, në emisionin “Përballje” në televizionin Dukagjini në Kosovë, u shpreh se ministria që ai drejton po krijon lehtësira dhe masa mbrojtëse për prodhuesit vendorë.
Hasani, duke komentuar tarifën e vendosur në Rrugën e Kombit, tha se mund të ndikojë tek bizneset dhe se kjo taksë prek edhe prodhuesit e Shqipërisë dhe të Kosovës.
Ai theksoi se Prishtina është kundër tarifave të larta. Edhe pse duhet një tarifë për mirëmbajtjen e rrugës, ajo nuk duhet të jetë e lartë dhe shteti shqiptar, sipas tij, duhej të kishte treguar më shumë kujdes. Hasani paralajmëroi se dhe autostradës në Kosovë do i vendoset një tarifë por jo e lartë.
Më tej, ministri i Tregtisë theksoi se Kosova është shumë e gatshme për të hapur tregun me Shqipërinë, por nuk ka gatishmëri nga pala shqiptare, përveç deklaratave asgjë konkrete nuk është bërë, sipas tij.
Nga 15 Prilli i këtij viti, çdo shtetas i Kosovës që shkon në Shqipëri me automjet duhet të paguajë 5 euro për përdorimin e autostradës vetëm nga një drejtim. Ndërsa autobusët duhet të paguajnë 11 euro, kamionët e mesëm 16 euro e ata të rëndë 22 euro./abcnews.al