Paketë fiskale dhe politika të reja mbështetëse për agroturizmin po miratohen nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit. Kreu i këtij institucioni, Blendi Klosi e ndau këtë zhvillim në tryezën e rrumbullakët me sipërmarrësit në fushën e turizmit, organizuar nga BERZH me praninë edhe të kreut të delegacionit të BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin.
Sfida e këtij sezoni turistik është e madhe për Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit pasi një numër më i lartë turistësh kërkon më shumë përgjegjësi dhe cilësi. Kreu i këtij institucioni, Blendi Klosi, renditi prioritet në tryezën e rrumbullakët me sipërmarrësit në fushën e turizmit, organizuar nga BERZH me praninë edhe të kreut të delegacionit të BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin.
Blendi Klosi: “Në strategjinë që ne kemi përgatitur tashmë, pa dyshim 4 janë polet që ne duam të zhvillojmë përsa i përket turizmit, Tirana si kryeqytet, Alpet si një destinacion unik i zhvillimit të turizmit në Shqipëri, Marina e bregdetit Adriatik pa dyshim që për ne ofrohet si një mundësi e artë e zhvillimit të turizmit masiv dhe Jugu i Ri si një pol i cili mund të mbajë mbi vete zhvillimin e turizmit elitar”.
Jo vetëm këto, por edhe politikat e reja për nxitjen e agroturizmit janë një mundësi e artë për të zhvilluar turizmin e rritjen e kapaciteteve 100% shqiptare.
Blendi Klosi: “Mundësinë e artë për të zhvilluar turizmin e kapaciteteve 100% shqiptare në të gjithë vendin, jo vetëm në politikë e projektit të 100 fshatrave që ne kemi zhvilluar dhe që këtu partnerët janë shumë të lutur të sjellin eksperiencat më të mira, por të kenë mundësi të zhvillojmë agroturizmin”.
Por përpjekja në fushën e turizmit nuk mund të jetë e veçuar nga përpjekja për një mjedis të pastër. Prandaj ministri Klosi kërkoi nga biznesi dhe partnerët përfshirjen në aksionin më të ri të pastrimit, “Java e Tokës” për të siguruar bregdet dhe lumenj të pastër në kuadër të sezonit të ri turistik.
Blendi Klosi: “Në javën që vjen dhe këtu do të doja shumë që t’u thoja të gjithëve që të ishit pjesë e aksionit tonë të pastrojmë tokën gjatë “Javës së Tokës” që për ne është data 16-22 Prill që është “Dita e Tokës” për të bërë një pastrim gjeneral të lumenjve dhe bregdetit dhe këtu të gjithë institucionet shtetërore dhe të gjithë partnerët e institucioneve shtetërore do të jenë të angazhuar dhe këtu iu bëj thirrje dhe komunitetit dhe gjithë secilit që të marrë një pjesë sado të vogël që të jetë në hartën e deteve dhe lumenjve të Shqipërisë për të bërë një pastrim total”.
Duke folur për projektin “Smile Albania” ministri Klosi tha se projekti i punësimit të 1 mijë të rinjve do të ofrojë në çdo cep të Shqipërisë në çdo port apo aeroport, në çdo pikë të zhvillimit turistik promovim të arsyeve pse Shqipëria do të duhet të buzëqeshë gjatë sezonit turistik.
Ndërsa kreu i delegacionit të BE-së, Vlahutin theksoi disa nga problematikat e turizmit shqiptar duke shtuar se ndonëse vendi ynë rrethohet nga shtete që kanë tashmë një turizëm të zhvilluar, ka të gjitha mundësitë për t’u shndërruar në një destinacion europian. Vlahutin dhe drejtori i BERZH garantuan mbështetjen tyre për bizneset që synojnë modele autentike turizmi./abcnews.al