Ministri i Jashtëm i Ukrainës është shprehur sot se vendi është i gatshëm të hyjë në negociata me Rusinë, por theksoi se forcat e saj nuk do t’i dorëzohen regjimit të Vladimir Putin dhe nuk do të pranojnë asnjë ultimatum.
Dmytro Kuleba u shpreh për gazetarët se mbetet i hapur ndaj diskutimeve diplomatike me Moskën, por paralajmëroi se Rusia po bën kërkesa që janë të papranueshme për Ukrainën.
Kuleba shtoi se forcat e Kievit do të kenë nevojë për më shumë furnizime ushtarake dhe përsëriti kërkesat drejtuar vendeve perëndimore për të furnizuar vendin me avionë të rinj luftarakë.
Sipas tij, më shumë jetë civilësh mund të shpëtohen nëse mbrojtja ajrore e vendit forcohet.
Ai pohoi gjithashtu se Moska ka përdorur taktika të ngjashme me ato të përdorura gjatë luftës civile në Siri ndërsa u bëri thirrje vendeve perëndimore që të ndihmojnë Ukrainën në hetimet dhe ndjekjet e mundshme të ardhshme të krimeve të luftës ruse. /abcnews.al/