Ministri i Jashtëm hungarez: Lufta në Ukrainë do të përfundojë vetëm nëse zgjidhet Trump

schedule20:00 - 10 Korrik, 2024

schedule 20:00 - 10 Korrik, 2024

Hungaria e sheh kthimin e mundshëm të ish-presidentit amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë si një “mundësi për paqe” në Ukrainë, tha këtë të mërkurë Ministri i Jashtëm Peter Szijjártó.

Në një intervistë me Reuters, Szijjártó tha se qëllimi i Hungarisë, me udhëtimin e fundit të kryeministrit Viktor Orbán në Moskë, ishte t’i jepte fund luftës përmes bisedimeve të paqes që përfshijnë Rusinë dhe Ukrainën.

“Unë mendoj se vetëm një ndikim shumë i fortë i jashtëm mund t’i bëjë ata të negociojnë. Kush do të ketë një shans për këtë sezonin e ardhshëm? Vetëm presidenti Trump, nëse zgjidhet”, komentoi ai. Ai gjithashtu argumentoi se takimet e fundit të Orban me presidentët rus dhe ukrainas Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelensky treguan distancën e madhe që i ndan ata, ndërkohë që liderët e tjerë perëndimorë nuk duan ose nuk janë në gjendje t’i afrojnë.

Trump ka thënë se do t’i jepte fund luftës shpejt, por nuk ka paraqitur një plan të detajuar për ta bërë këtë. Muajin e kaluar Reuters raportoi se këshilltarët e ish-presidentit i paraqitën atij një plan për t’i dhënë fund luftës që do të kushtëzonte çdo ndihmë të ardhshme për Kievin me pjesëmarrjen e Ukrainës në bisedimet e paqes.

“Ne shohim një mundësi për paqe nëse presidenti Trump fiton. Ne shohim një mundësi për marrëdhënie të mira hungarezo-amerikane nëse presidenti Trump fiton”, u shpreh ai.

Szijjártó theksoi gjithashtu se Hungaria nuk e sheh Rusinë si një kërcënim për anëtarët e NATO-s ose BE-së dhe se udhëheqësit rusë janë “të arsyeshëm” dhe nuk do të rrezikojnë një konflikt të drejtpërdrejtë me Perëndimin. Ai gjithashtu vuri në dukje se Hungaria nuk do të kundërshtojë planin e NATO-s për të dërguar një paketë të re ndihme ushtarake në Ukrainë, por nuk do të marrë pjesë as në të./abcnews.al