Ministri hungarez i Drejtësisë thotë se Nikola Gruevski nuk mund të kthehet më në Maqedoni pasi i rrezikohet jeta. Ndërkohë nga ana tjetër Shkupi këmbëngul në kërkesën për ekstradim. Ndërkohë, Hungaria njofotoi se Gruevski fillimisht paraqiti kërkesën për azil në ambasadën hungareze në Shqipëri.
Ministri hungarez i Drejtësisë, László Trócsányi, thotë se autoritetet në Maqedoni e kanë të kotë kërkesën për ekstradimin e ish-kryeministrit Nikola Gruevski, pasi ai nuk mund të kthehet më në Maqedoni sepse ka fituar të drejtën e azilit në Hungari. Trócsányi në intervistën për televizionin hungarez “Eho TV” tha se me faktin që atij i është pranuar azili, Hungaria pranon se Gruevski është viktimë e përndjekjes dhe nuk mund të ekstradohet.
Ai tha se nuk është i njoftuar në detaje me arsyet me të cilat Gruevskit i është miratuar kërkesa për azil, por tha se Zyra për migrim dhe emigrantë mori vendimin pas një hetimi të detajuar dhe ka vërtetuar se ish kryeministri me të drejtë është frikësuar për jetën e tij. Trócsányi ka shtuar se tani Gruevki mund të fitojë dokumente udhëtimi dhe lirisht mund të largohet nga Hungaria nëse dëshiron.
Nga ana tjetër, Shkupi insiston në esktradimin e tij. Ministrja maqedonase e Drejtësisë, Renata Deskoska, tha se do të dërgojë një kërkesë tek qeveria hungareze për rishqyrtimin e vendimit për azil që iu dha ish-kryeministrit. Ajo shpjegoi se sistemi juridik i Hungarisë e lejon një mundësi të tillë dhe shtoi se sipas rregullave juridike të Hungarisë, nëse Gruevski nuk merr shtetësi hungareze, leja e tij për azil përsëri do të vendoset për shqyrtim pas tre viteve.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Hungarisë, Péter Szijjártó edhe njëherë konfirmoi se Gruevski ka kaluar tre kufij në mënyrë të ligjshme që të arrijë në Hungari. Ai ka mohuar se diplomatët hungarez të cilët kanë qenë në shoqërimin e Gruevskit kanë marrë pjesë në çfarëdolloj tregtie me njerëz. Siaps deklaratës së ministrit Szijjártó, diplomatët kanë takuar Gruevskin në ambasadën e Hungarisë në Tiranë ku janë njoftuar me kërkesën e tij për azil. Ndër të tjera konfirmoi se Hungaria është në dialog të vazhdueshëm me Maqedoninë për rastin në fjalë./abcnews.al