Hasani: Studentët nga Lugina e Preshevës përfitojnë bursa studimi në universitetet shqiptare

schedule10:35 - 7 Mars, 2024

schedule 10:35 - 7 Mars, 2024

TIRANË- Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani, në konferencën e përbashkët për Shtyp me kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar të Luginës së Preshevës, Nevzad Lutfiu dhe rektorin e universitetit “Eqrem Çabej” Gjirokastër, Bektash Mema, prezantoi nismën e ministrisë që ai drejton, e cila synon t’ju vijë në ndihmë shqiptarëve në rajon.

Ai u shpreh se përgjatë vitit akademik 2024-2025, 30 studentë, vajza dhe djem nga Lugina e Preshevës do të kenë çdo vit mundësinë të kryejnë studimet universitare në Shqipëri. Sipas ministrit, studentët do të përfitojnë bursë dhe akomodim falas përgjatë gjithë periudhës së studimeve.

“Jam i lumtur që pikërisht në këtë ditë kaq të rëndësishme, mirëprita një grup miqsh nga Këshilli Kombëtar Shqiptar i Luginës së Preshevës dhe nga disa universitete kryesore në Shqipëri, për të diskutuar mbi një nismë të rëndësishme bashkëpunimi në fushën e arsimit universitar.  Konkretisht, duke filluar nga viti akademik 2024 – 2025, 30 studentë, vajza dhe djem  nga Lugina e Preshevës do të kenë çdo vit mundësinë të kryejnë studimet universitare në Shqipëri, duke përfituar bursa studimi dhe akomodimin falas përgjatë gjithë periudhës së studimit”, tha ai.

Më tej, ministri Hasani vuri theksin tek një çështje tjetër, e cila lidhet me pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Ai tha se në këtë drejtim priten të merren masa konkrete për ta frenuar këtë fenomen, që sipas tij mbetet shumë shqetësues për Shqipërinë.

“Përveç këtyre nismave, në të ardhmen e afërt, objektivat tona do të materializohen edhe me projekte të tjera në ndihmë të komunitetit shqiptar. Së pari, për të frenuar  pasivizimin e adresave, çka padyshim është diçka që na shqetëson shumë,

Së dyti, për njohjen e  diplomave dhe thellimin e shkëmbimeve kulturore, ekonomike e tregtare, sepse besojmë se kjo do të kontribuojë në afirmimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, i cili përbën edhe një kriter të procesit të integrimit  të Serbisë në Bashkimin Europian.

– Thellimi i bashkëpunimit me faktorin shqiptar, kudo në rajon,

– Garantimi i të drejtave të tyre të gjithë shqiptarëve dhe fuqizimi i tyre politik, social e ekonomik, janë prioritete të punës tonë.

Dëshiroj me këtë rast, t’i siguroj shqiptarët e Luginës se këtu do të gjejnë gjithmonë derën e hapur dhe gatishmërinë maksimale për të punuar së bashku me nisma dhe projekte konkrete që do t’i vijnë në ndihmë bashkëkombësve tanë kudo që ata jetojnë e punojnë në Luginën e Preshevës.  Faleminderit edhe një herë e institucioneve universitare dhe bashkitë për mbështetjen e dhënë”, shtoi ai.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!