Ministri Gjiknuri: Jo më investime në ujësjellës nëse nuk ka performancë

schedule13:49 - 25 Shkurt, 2018

schedule 13:49 - 25 Shkurt, 2018

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë kërkoi rezultate konkrete nga Bashkitë dhe ndërmarrjet e ujësjellësite sa i përket reformës së ujit. Nese ato nuk do të performojnë siç duhet, Gjiknuri deklaroi se qeveria do t’i ndërpresë financimet.

Qeveria nuk do të financojë asnjë Bashki apo ujësjellës që nuk do të japë rezultate në reformën e ujit.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, e bëri këtë apel nga zyrat e kujdesit ndaj klientit të ujësjellësit të Beratit.

Një qark që ka përfituar rreth 3.3 miliardë lekë investime në ujësjellës kanalizime, por ndërmarrjet në katër bashkite e tij rezultojnë me humbje.

“Nga pikëpamja e investimeve në infrastrukturën e ujësjellës kanalizimeve, Berati është një nga zonat që ka përfituar më shumë. Natyrshëm, edhe në filozofinë që keni kemi transmetuar në lidhje me reformën e ujit, do të financohen ato bashki e ujësjellësa që performojnë u lind detyra të tregojnë rezultate pasi kanë marrë shumë investime”

Gjiknuri kërkoi ndryshim rrënjësor të performancës së ndërmarrjes së ujësjellësit.

“Disa shenja të para janë pozitive. Kërkohet një punë akoma më e madhe nga ujësjellësi këtu por edhe nga vet Bashkia. Ne e kemi thënë, qeveria këto instrumente ka: sensibilizon, mbështet financiarisht, mbështet me institucionet e tjera për të luftuar ilegalitetin, por në fund të fundit bashkitë janë vet përgjegjëse. Qytetarët e Beratit janë administratorët e ujit të tyre, janë administratorët e kësaj pasurie. Nëse ata do të duan që investimet të vazhdojnë dhe të përmirësohet furnizimi me ujë, duhet patjetër të formalizohen, duhet patjetër ta mirë administrojnë dhe u lind detyra ju, të zgjedhurve vendor por edhe ju si përfaqësues të aksionerëve që në këtë rast janë qytetarët e Beratit që këtë proces ta merrni shumë seriozisht”

Nga nëntori i vitit të shkuar deri Janarin e këtij viti në bashkitë e qarkut Berat, sipas ministrisë, janë arkëtuar 42 milionë lekë më shumë se sa e njëjta periudhë e një viti më parë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!