Ministri gjerman për Çështjet Evropiane thotë se dhuna ne protestat e opozitës është tërësisht e papranueshme. Duke folur për Deutche Welle, zyrtari gjerman shprehet se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet dhe BE duhet të çelë negociatat e anëtarësimit.
Qeveria gjermane dënon dhunën në protestat e opozitës në Shqipëri, duke e quajtur atë plotësisht të papranueshme. Ministri gjerman i shtetit për Çështjen Evropiane Mikael Roth në një intervistë për Deutche Welle thotë se opozita duhet të reagojë drejt në përgjegjësinë e saj për demokraci.
“Kritika është normale në çdo demokraci të gjallë, por dhuna, si mjet i demokracisë apo i politikës, është absolutisht e papranueshme. Ne jemi shumë të shqetësuar për situatën politike në vend në Shqipëri dhe gjithashtu për përgjegjësinë e opozitës për dhunën. Pres që opozita të reagojë drejt në përgjegjësinë e saj për demokraci. Nuk është aspak e qartë për mua se si ajo mund të shpallë një bojkot parlamentar, se si bojkoton zgjedhjet lokale. Parlamenti është pikërisht vendi ku duhen bërë debatet kritike. Nuk mund t’i ikësh kësaj përgjegjësie. Kam përshtypjen se opozita sikur nuk është aspak e interesuar që Shqipëria të anëtarësohet në BE dhe se po ndjek një politikë penguese të papërgjegjshme në kurriz të popullit të Shqipërisë. Kjo nuk është e pranueshme! Dhe përsëris: Nëse qytetarët kritikojnë qeverinë e tyre, ose parlamentarët, kjo duhet marrë seriozisht. Askush prej nesh nuk po e zhbllokon situatën në Shqipëri. Por këto shpërthime të dhunës nuk duhet të bëhen normalitet, as në Shqipëri e as në të gjithë Evropën”.
Sipas ministrit gjerman të shtetit, Gjermania do të mbështesë hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Roth thotë se Shqipëria ka përmbushur detyrat e lëna ndaj saj një vit më parë.
“Unë madje shkoj aq larg sa të them se ndoshta nuk ka vend që të ketë përmbushur kaq shumë detyra para çeljes së negociatave të anëtarësimit. Sigurisht ka akoma shumë për të bërë, por jam optimist, se mbi bazën e kritereve të qarta që janë përmbushur, mund të bëhet një diskutim pozitiv për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë”.
Ministri gjerman deklaron se do te angazhohet personalisht për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë. Roth i kujton Bashkimit Evropian se duhet t’i qëndrojë angazhimeve dhe premtimeve të veta. Sipas ministrit gjerman për çështjet evropiane, stabiliteti dhe paqja në Ballkanin Perëndimor janë me interes të madh për Gjermaninë, por edhe për Bashkimin Evropian./ABC News Albania 24/7