Vendet e BE-së kanë një mendim pozitiv sa i takon hapjes së negociatave të anëtarësimit me vendet e Ballkanit Perëndimor. Deklarata është bërë nga ministri i Jashtëm finlandez, pas një takimi me homologët europianë, si dhe është konfirmuar nga shefja e Politikës së Jashtme të BE, Mogerini.
Ministri i Jashtëm finlandez deklaroi të premten se vendet anëtare të BE-së janë optimiste për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, edhe pse nuk dha një datë të saktë se kur mund të ndodhë kjo. Ministri Peka Havisto foli pas takimit me homologët europianë të mbajtur në Helsinki, me të cilët diskutoi mes të tjerash edhe për ambicjet e anëtarësimit të dy vendeve ballkanase, vendimi për të cilat është shtyrë disa herë nga disa shtete. “Për mendimin tim, pritshmëritë se në një moment mund të vendosim hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë janë pozitive”, tha Havisto për gazetarët, pa saktësuar se cilët ministra ishin dakord dhe cilët skeptikë. Më herët gjatë së premtes edhe shefja në ikje e Politikës së Jashtme të BE, Federika Mogerini refuzoi të tregonte se cilat shtete mbështesin hapjen e negociatave me dy vendet ballkanase dhe cilat e kundërshtojnë atë. “Kam parë sot një mbështetje dhe një vendosmëri edhe më të fortë tek vendet anëtare lidhur me rëndësinë strategjike të Basahkimit Europian për të mbajtur të hapur procesin e zgjerimit”, tha Mogerini. Në qarqet e Brukselit janë të mendimit se Maqedonia e Veriut e meriton hapjen e negociatave pas marrëveshjes së emrit me Greqinë, që i hap rrugë mes të tjerash edhe anëtarësimit në NATO. Ndërsa për Shqipërinë, disa vende anëtare deklarojnë se duhet të bëjë më shumë në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe për sundimin e rendit dhe ligjit. /ABC News Albania 24/7