Ministrat holandezë kundërshojnë propozimin e pjesës më të madhe të deputetëve në vend, të cilët kërkojnë rikthimin e menjëhershëm të regjimit të vizave për shtetasit shqiptarë.
Pjesa më e madhe e deputetëve holandzë, i ka kërkuar ministrave në vend që të ushtrojnë presion ndaj Brukselit për të rikthyer regjimin e vizave për shtetasit shqiptarë. Mediat holandeze raportojnë se deputetët këmbëngulin se kjo është e vetmja mënyrë për të ndaluar bandat kriminale që të hynë në vend. Madje ata pretendojnë se kanë dhe mbështetjen e policisë së Amsterdamit dhe ministrit të drejtësisë për këtë nismë. Ky i fundit konfirmoi qëndrimin e tij dhe para pak ditësh teksa ndodhej në Tiranë për një vizitë zyrtare.
Sipas mediave holandeze bandat shqiptare janë qendra e industrisë së drogës dhe pastrimit të parave në vend. Gjithsesi ministrat theksojnë se rikthimi i vizave është një vendim i pashpresë dhe se Shqipëria i plotëson kriteret e Bashkimit Europian për lëvizjen pa viza. Ministri i jashtëm holandez Stef Blok u tha deputetëve se nuk ka ndërmend të merret me këtë çështje. Ndërkohë dhe ministri holandez për migracionin Mark Habers gjatë një konference të përbashkët për shtyp me zv/ministren e brendshme shqiptare Rovena Voda në Tiranë, theksoi se qëndrimi zyrtar i qeverisë holandeze është që të ruhet sistemi pa viza për shqiptarët që të mund të udhëtojnë në Shengen apo BE. Nga ana tjetër, shtoi ai, ne jemi duke monitoruar, dhe lexuar me imtësi çdo raport monitorimi, por falë edhe përpjekjeve të BE-së dhe të qeverisë shqiptare, jemi të mendimit që po ecim në drejtimin e duhur dhe duhet të ruhet sistemi pa viza.
Deputetët socialdemokratë u shprehën të zhgënjyer nga qëndrimi i ministrave duke këmbëngulur se kjo është një masë e domosdoshme për sigurinë në vend. /abcnews.al