Në puntatën e parë për këtë sezon në Log. nga Endri Xhafo është diskutuar në lidhje me emrat e rinj të kabinetit të qeverisë Rama 3.
Në një panel analistësh mes të cilëve ishte edhe deputeti i zgjedhur i PS-së Etjen Xhafaj janë analizuar emrat e ministrave veçanërisht të të rinjve, si Bora Muzhaqi dhe Edona Bilali.
Deputeti i zgjedhur që tashmë nuk ndodhet në kabinetin qeveritar është shprehur se nuk duhet të gjykojmë nga fakti që janë të reja apo të panjohura, pasi ato kanë një meritë për atë që përfaqësojnë dhe janë zgjedhur.
“Unë kam punuar me Edonën dhe me Borën dhe janë njerëz shumë të përgatitur, procesi nuk ka qenë që të zgjedhim njerëz nga rrjeshti por për atë që ato përfaqësonin. Nuk është asnjë justifikim të thonë se këto janë të panjohur dhe nuk mund të jenë ministra. Nëse ju e hiqni nga kanali një person që nuk e njihni atëherë s’do të keni mundësinë që ti njihni asnjërën dhe do të dëgjojmë përherë të njëjtin refren. Thelbi është se janë ekip, dhe nuk duhet që të paragjykohet askush se është i panjohur ose i ri”, ka thënë Xhafaj.
Ndërkohë nga ana tjetër analisti Artan Hoxha ka bërë me dije se emrat e rinj të zgjedhur janë preferencë e kryeministrit.
“Nga zgjedhja e anëtarëve të këshillit të ministrave është prevantivë e kryeministrit, që me zgjedhjen tregoi se ka vijimësinë e suksesit dhe disa gjëra të reja. ky është këndvështrimi i kryeministrit, ndërsa unë them se asnjë prej tyre s’ka të sharë. Çështja është se duhet të analizojmë nëse janë apo jo ministra ato, ajo që unë analizoj është se këto individë do të kenë apo jo autonominë vendimmarrëse siç i autorizon kushtetuta, ne kemi pasur deri më tani qeveri kryeministri”, ka thënë Hoxha.
Ndërkohë nga ana tjetër analisti Mentor Nazarko është shprehur se nuk ka pse të gjykohet asnjë dhe se në vendin tonë kryeministrit ja jep kompetencat vete kushtetuta e Shqipërisë./abcnews.al