Më 11 qershor, një 50-vjeçar hyri në ujërat e qeta të një plazhi në qytetin ukrainas të Odesës. Kjo ishte rutina e tij, zhytej në ujërat e cekëta të detit dhe mblidhte kërmij deti, një ushqim i preferuar në kuzhinën vendase, sipas The Guardian.
Por tashmë ai nuk do kthehet më. Një minë shpërtheu, duke e vrarë atë në çast, ndërsa familja e tij e shikonte me tmerr.
Në Detin e Zi ndodhen qindra mina të hedhura nga të dyja palët në luftën mes Rusisë e Ukrainës, duke paraqitur një kërcënim serioz për njerëzit dhe rihapjen e rrugëve të transportit të grurit të ndaluara nga bllokada detare e Moskës,.
“Është vërtetë një problem i madh. Këtu ndodhen edhe mina të tjera të pashpërthyera nga Lufta e Dytë Botërore, të cilat ne vazhdojmë t’i gjejmë. Shqetësimi kryesor është se nuk e dimë se sa mina janë hedhur gjatë bllokadës detare.
Do të duhet shumë kohë për të pastruar ujërat”, tha Vladlen Tobak, një ish-instruktor zhytjeje i marinës ukrainase dhe themeluesi i një shkolle zhytjeje në Odesa.
Minat detare nuk janë të ndaluara me marrëveshje ndërkombëtare, ndryshe nga minat tokësore.
Megjithatë, e drejta ndërkombëtare humanitare përcakton disa rregulla. Për shembull, shtetet mund t’i vendosin ato në ujërat e tyre territoriale për të mbrojtur brigjet e tyre nga sulmet e jashtme.
Konventa e Hagës ndalon përdorimin e minave në ujërat ndërkombëtare. Në qershor, Ukraina pranoi publikisht se kishte “instaluar mina detare në ushtrimin e të drejtës për vetëmbrojtje, siç përcaktohet në nenin 51 të Kartës së OKB-së”.
Qeveria ndaloi njëkohësisht edhe larjen në bregdet. Por me temperaturat që arrijnë në 35 gradë Celcius, shumë njerëz po injorojnë kufizimet dhe po dynden drejt plazhit.
Roman Kostenko, një anëtar i parlamentit të Ukrainës dhe një komandant i forcave speciale të Ukrainës, konfirmoi për Guardian se bregdeti është i minuar bashkë em disa zona që janë më afër bregut për të parandaluar një pushtim rus nga uji.
“Megjithatë, ne nuk e dimë saktësisht shtrirjen dhe vendosjen e minave ruse”, tha ai.
Prania e minave detare po përbën një kërcënim serioz edhe për vendet e tjera që kufizohen me Detin e Zi. Sipas raporteve, zyrtarët bullgarë paralajmëruan qytetarët që jetojnë pranë bregut të kenë kujdes nga minat, ndërsa Rumania po punon për të çaktivizuar pajisjet e gjetura në ujërat e saj.
/abcnews.al