Miluoki u kualifikua për në finalen e Konferencës Lindore në basketbollin amerikan, pasi mundi Bostonin. Në Perëndim, Golden Stejti fitoi ndaj Hjustonit, por dueli vazhdon.
Po cilësohet gjithnjë e më shumë favoritja për titull, dhe nuk po zhgënjen.
Miluoki Baks në mënyrë të veçantë po përballon presionin e madh të mungesës së përvojës dhe të pritshmërive, ndërsa hodhi një tjetër hap duke dalë në finalen e Konferencës Lindore.
Skuadra më e mirë e sezonit të rregullt të NBA-së mposhti sërish Bostonin e fortë, këtë herë 116-91, duke mbyllur serinë gjysmëfinale me shifrat 4-1.
Ylli kryesor ishte sërish Janis Antetokumbo, veçse nuk ishte vetëm ndeshja e tij, por e gjithë skuadrës.
Greku me origjinë afrikane shënoi 20 pikë, kapi 8 topa në tabela, shërbeu 8 pasime për kosh, vodhi dy topa dhe bllokoi dy gjuajtje, ndërsa luajti vetëm 31 minuta.
Nikola Mirotiç, spanjolli me origjinë malazeze, shtoi 10 pikë e 11 topa në tabela, ndërsa Midëllton pati 19 pikë, Bledsou 18, Hill 16, ndërsa Eljasova e Brogdon nga 10.
Një fitore, pra, krejtësisht kolektive, ndërsa në finalen e Lindjes, Miluoki pret fituesin e çiftit Torono-Filadelfia.
Në Perëndim, sfida gjysmëfinale nuk mund të bëhet më e fortë.
Golden Stejti triumfoi ndaj Hjustonit pas një tjetër drame, 104-99, duke marrë udhëheqjen me rezultatin 3-2.
Kampionët në fuqi humbën Kevin Durantin për shkak dëmtimi në pjesën e tretë, por ia dolën ta përballonin mungesën e yllit kryesor.
Durant shënoi 22 pikë për aq kohë sa luajti, ndërsa mbetet në dyshim për duelin numër 6.
Klej Tompsoni realizoi 27 pikë, Stefën Kërri pati 25 pikë të tjera, ndërsa Drejmond Grin iu afrua një tripëll dabëlli me 8 pikë, 12 topa në tabela dhe 11 pasime për kosh.
Për Hjustonin, më i miri ishte i zakonshmi Xhejms Harden që shënoi 31 pikë, ndihmuar nga Gordon, Taker, Pol apo Shampert.
Të pesë ndeshjet e deritanishme mes dy rivalëve kanë qenë tepër të ekuilibruara dhe ndoshta do të duhet sfida numër 7 për të vendosur fituesin. /ABC News Albania 24/7