Miluoki fiton sfidën me rivalin Hjuston në NBA

schedule16:43 - 27 Mars, 2019

schedule 16:43 - 27 Mars, 2019

Miluoki fitoi duelin me një rival direkt në basketbollin amerikan, duke forcuar pozitat në vendin e parë. Suksesi ishte ndaj Hjustonit, me shifrat 108-94

Nuk ishte thjesht një duel mes dy yjeve. Miluoki ndaj Hjustonit pati më tepër sesa sfida direkte e Janis Antetokumpos dhe Xhejms Hardenit, madje një tjetër basketbollist ishte edhe më shumë vendimtar.

Erik Bledsou shënoi 23 pikë, po ashtu shërbeu 7 pasime për kosh, si dhe mbrojti fort yllin kryesor të Hjustonit, e në fund Miluoki fitoi ndeshjen me shifrat 108-94.

Në parket ishin edhe dy kapitenët. Antetokumpo zhvilloi një ndeshje të mirë, edhe pse jo të jashtëzakonshme.

Ai realizoi 19 pikë në 33 minuta, kapi 14 topa në tabela e shërbeu 4 asistë. Rivali i tij i madh, Xhejms Harden, e pati shumë të vështirë ndaj mbrojtjes së ashpër vendase.

Ai gaboi shumicën e gjuajtjeve, ndaj edhe 23 pikët e shënuara prej tij nuk ishin një kontribut shumë i madh. Gjithsesi, ai kapi 10 topa në tabela e dha 7 pasime për kosh.

Fitorja bëri që Miluoki të forconte edhe më shumë pozitat në krye të renditjes së Konferencën Lindore, por edhe të gjithë NBA-së. Bilanci është me 56 fitore e 19 humbje, kur kanë mbetur edhe vetëm 7 ndeshje deri në fund të sezonit të rregullt./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!