Vala ekstreme e të nxehtit që përfshiu SHBA-në këtë javë pritet të përkeqësohet gjatë fundjavës me 90 milionë njerëz në rrezik. Në Arizona ku temperaturat nuk zbresin prej ditësh nën 43 gradë, Shërbimi Kombëtar i Motit i Phoenix e quajti “një nga sistemet më të forta të presionit të lartë që ka parë ndonjëherë rajoni”.
1000 rekorde janë vendosur në Shtetet e Bashkuara që nga qershori dhe 100 të tjera mund të vendosen këtë fundjavë me temperaturat që pritet të arrijnë 54 gradë në Death Valley, Kaliforni, vendi më i nxehtë në tokë.
Ndërkohë një valë e nxehtë dhe vdekjeprurëse po përfshin Europën, me temperatura rekord dhe duke ngritur shqetësime serioze për ndikimet në shëndetin e njerëzve, veçanërisht pasi kontinenti mirëpret një fluks turistësh.
Pjesë të Spanjës, Francës, Greqisë, Kroacisë dhe Italisë po përballen të gjitha me nxehtësi intensive, me temperatura që rriten mbi 40 gradë Celsius. I nxehti është një nga rreziqet natyrore më vdekjeprurëse, më shumë se 61,000 njerëz vdiqën në valën e nxehtë të verës në Europë vitin e kaluar.
Vala aktuale e të nxehtit, e quajtur “Cerberus” nga Shoqëria Meteorologjike Italiane sipas përbindëshit me tre koka që shfaqet në “Ferrin” e Dantes, ka shkaktuar frikë për shëndetin e njerëzve, pasi përkon me një nga periudhat më të ngarkuara të turistëve të sezonit veror të Europës.
/abcnews.al