Milani vazhdon krizën

schedule20:06 - 26 Dhjetor, 2018

schedule 20:06 - 26 Dhjetor, 2018

Milani nuk arriti sërish që të fitonte në Serinë A. Barazimi në fushën e Frosinones shton krizën, ndërsa kualifikimi në Champions është në rrezik.

U bënë katër ndeshje pa gol. Milani, një nga simbolet e sulmit në Serinë A dhe në Europë, po kalon një nga krizat më të thella në lojën ofensive. Barazimi pa gola në fushën e Frozinones, do të thotë se skuadra e trajnerit Gennaro Gattuso ka tani 4 sfida radhazi në kampionat pa gjetur rrugën e rrjetës.

Tronditja bëhet edhe më e madhe nëse shikon se kundërshtarët kanë qenë të respektueshëm, por aspak të pakalueshëm, Torino, Bolonja, Fiorentina dhe tani Frozinone. Aspak, Juventusi, Napoli apo Interi. Duhet të kthehemi 34 vite prapa që të gjejmë një situatë të tillë, me 4 ndeshje radhazi pa realizuar.

Jo vetëm kaq, por skuadra e Gattuso-s duhet të falenderojë fort portierin e saj, Gigio Donarumma, që bëri të paktën tri pritje shpëtuese. Dakord, kuqezinjtë kanë dëmtime, mungoi edhe Suso, por gjithsesi në fushë ishin Kessie, Bakayoko, Higuain apo Cutrone.

Paraqitja në fushën e Frozinones ishte thuajse fotokopje e atyre të ndeshjeve të kaluara. Fillim premtues, këmbëngulje për të kaluar në avantazh, por pastaj rënie e nivelit dhe e besimit, ndërsa goli nuk shënohej. Sipas mediave, Gattuso kishte marrë ultimatum nga klubi për të fituar dy ndeshjet e radhës në Serinë A.

Nuk dihet nëse drejtuesit do të mendojnë shkarkimin e trajnerit, apo do të presin mbylljen e vitit, me ndeshjen ndaj Spalit. Çfarëdo që të ndodhë, tekniku është në fije të perit, ndërsa Milani mbetet në krizë të thellë, duke rrezikuar seriozisht kualifikimin për në Champions sezonin e ardhshëm./abcnews.al