Në Serinë A është rritur konkurrenca për kualifikimin sezonin e ardhshëm për në Ligën e Kampionëve. Barazimi i Interit dhe fitorja e Milanit bëri që dy rivalët milanezë të afrohen në tabelë
Ishte një ndeshje që bëri shumë ndryshime.
Një Inter-Napoli që përfundon 0-0 ndikoi tek vendasit, tek miqtë, por edhe tek skuadrat e tjera të Serie A.
Jo vetëm që napolitanët tani janë më larg titullit, duke mbetur 1 pikë prapa Juventusit, ndërsa kanë luajtur një ndeshje më shumë sesa kampionët.
Edhe interistët e rrezikuan jo pak veten në objektivin e tyre kryesor, kualifikimin sezonin e ardhshëm për në Ligën e Kampionëve.
Tashmë, zikaltërit kanë 52 pikë, ndërsa vetëm 5 pikë larg tyre është Milani, ekipi që dukej i vdekur në mesin e sezonit.
Fitorja në sekondat e fundit në fushën e Genoa-s ishte tepër e rëndësishme dhe tepër e vështirë, duke e dërguar në delir trajnerin Gattuso.
Gattuso, madje, ishte kaq i hutuar, saqë nuk mbante mend aq përqafimin që i dha arbitrit të katërt.
Gennaro Gattuso: “Puthjet ia jap gruas sime dhe grave të bukura, në kuptimin për t’i përshëndetur. Deri këtu nuk kam mbërritur ende. Madje nuk kujtoj as që ta kem përqafuar arbitrin e katërt, thjesht i thashë që ndeshja kishte përfunduar dhe pastaj e përshëndeta, nuk mbaj mend ta kem përqafuar”.
Trajneri milanist vlerësoi lart karakterin e skuadrës së tij, të treguar pas humbjes me Arsenalin në Ligën e Europës.
Gennaro Gattuso: “Sot ishim shumë të shqetësuar, edhe unë edhe stafi im, sepse vinim pas humbjes me Arsenalin, ndërsa prej 2 apo 3 muajsh e gjysmë nuk ishim mësuar me shijen e humbjes. Për fat, skuadra u tregua shumë e aftë që arriti të reagonte në një ndeshje që edhe mund ta kishim humbur. Genoa luajti shumë mirë, por më pëlqeu karakteri i ekipit, personaliteti i saj i fortë. Objektivi ynë është kualifikimi për në Champions, dhe për këtë do të luftojmë deri në fund”.
Milani, këtë javë, ishte një nga ato skuadra që u kënaq shumë me sistemin e teknologjisë, VAR.
Genoa shënoi gol dhe kaloi në avantazh, por gjyqtari në mënyrë korrekte u këshillua me teknologjinë dhe zbuloi se goli u shënua në pozicion jashtë loje.
Tek Lazio, me siguri pyesin se përse kjo ndodh me Milanin dhe jo me të./abcnews.al

