Milani gabon përsëri në Serinë A

schedule12:34 - 28 Shtator, 2018

schedule 12:34 - 28 Shtator, 2018

Milani bëri një tjetër gabim në Serinë A, duke u ndalur në barazimin e tretë radhazi. Skuadra e shquar ndodhet në vendet e fundit të renditjes, krejt ndryshe nga Sasuolo modeste që u ngjit në vendin e tretë.

Le ta nisim me atë që quhet mrekullia e re. Sasuolo është ekip që është njohur mirë në Itali këta vjet, duke dalë edhe në Ligën e Europës, por vazhdimësia e saj po habit. Skuadra modeste e një qyteti me vetëm 40 000 banorë, u bë protagoniste edhe këtë edicion, duke u ngjitur në vendin e tretë. Këtë ia mundësoi fitorja 2-0 në fushën e një tjetër mrekullie të vogël italiane, SPAL-it të Ferrarës. Klod Agjapong dhe Alesandro Matri ishin autorët e golave për ekipin nga Emilio-Romanja, që tani ka 13 pikë, vetëm dy më pak sesa Napoli i vendit të dytë.

Lacio, Interi, Fiorentina apo Roma, duhet ta shohin nga poshtë-lart ekipin e trajnerit Roberto De Zerbi, të paktën për momentin. Ndër gjigandët që janë poshtë Sasuolos, bën pjesë edhe Milani. Skuadra 19 herë kampione e Italisë dhe 7 herë kampione e Europës, u desh të pajtohej me një barazim të palavdishëm 1-1 në fushën e Empolit. Skuadra vendase, ku titullar ishte mbrojtësi i kombëtares Frederik Veseli, luftoi fort, edhe pse pësoi gol e para.

Mesfushori Lukas Bilia kaloi milanistët në epërsi në minutën e 10-të, por fati nuk ishte me të besuarit e trajnerit Gatuzo. Ata krijuan disa raste, por nuk mundën t’i kthenin në gola, ndërsa portieri I Empolit, Terraçano, pati një mbrëmje të madhe. Tek Milani u ndje sërish mungesa e sulmuesit kryesor, Gonzalo Higuain, ndërsa ky ishte barazimi i tretë radhazi në Serinë A. Goli i shënuar nga Kaputo me penallti për vendasit, bëri që lombardët të mbeten në vendin e 14-të në renditje me vetëm 6 pikë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!