Milani eleminohet nga Arsenali

schedule11:33 - 16 Mars, 2018

schedule 11:33 - 16 Mars, 2018

Milani u eleminua nga Liga e Europës pas humbjes që pësoi në fushën e Arsenalit. Gjithsesi, italianët patën pretendime për gjykimin e arbitrit suedez, Jonas Erikson.

Shpesh një ndeshje vendoset nga një çast.
Me shumë gjasa kështu ishte në përballjen Arsenal-Milan, kur Dani Uelbek fitoi një penallti për vendasit dhe që nga ai moment, gjithçka ndryshoi në stadiumin “Emirejts”.

Skuadra italiane u eleminua nga Liga e Europës, pas humbjes së dytë ndaj anglezëve këtë herë 1-3, veçse pasi kaloi në avantazh, erdhi kjo penallti për vendasit.

Dani Uelbek, me 99.99 për qind të mundësive simuloi në zonën e rreptësisë dhe gjyqtari suedez, Jonas Erikson, dha penallti pasi ngurroi pak.
Fare pranë aksionit ishte një ndihmës i tij, por ishte pikërisht ai që duket se sinjalizoi për 11-metërshin.
Natyrisht, Arsenali u kualifikua me meritë për në çerekfinalet e Ligës së Europës, dhe nuk mund të jetë ndryshe kur fiton të dyja ndeshjet, dhe me golaverazhin 5-1.

Sidoqoftë, Milani kishte kaluar në epërsi në Londër me golin e shkëlqyer të Çalhanoglusë, dhe për të besuarit e trajnerit Gatuzo ekzistonin shanset që të paktën të barazonin shifrat pas humbjes 0-2 në “San Siro” në takimin e parë.

Pasi Uelbek barazoi nga pika e bardhë, londinezët nuk u përmbajtën më, dhe italianëve u mungoi edhe përvoja për të rezistuar më gjatë.
Autor i golit të dytë ishte Granit Xhaka, shqiptari i Kosovës që luan për Zvicrën.
Sidoqoftë, pati edhe bashkëpunim me portierin Donaruma që gaboi rëndë.

Historia në Londër u mbyll me golin e dytë të Dani Uelbekut, ndërsa Arsenali i trajnerit Arsen Venger për momentin e kaloi krizën dhe synon Championsin nëpërmjet fitores së Ligës së Europës.

Interesant në këtë kompeticion është fakti se asnjë shtet europian nuk ka më shumë se një përfaqësues.
Për Spanjën, në garë mbetet vetëm Atletiko e Madridit që kaloi në çerekfinale në mënyrë madhështore, duke fituar 5-1 në Rusi ndaj Lokomotivës së Moskës.

Fernando Torres ishte autor i dy golave, dhe ekipi i trajnerit Simeone do të mbrojë nderin spanjoll, pasi Atletik i Bilbaos u eleminua nga Olimpiku i Marsejës.
Një skuadër edhe Italia.

Lacio u paraqit krejt ndryshe në Ukrainë, nga sa kishte luajtur në Romë ndaj Dinamos së Kievit.
Fitoi 2-0 dhe u kualifikua me rezultat të përgjithshëm 4-2, me rrjetat e realizuara nga Lukas Leiva e Stefan De Vraj, nga një në secilën pjesë loje.

Portieri i kombëtares shqiptare, Tomas Strakosha, ishte titullar dhe u rrezikua pak.
Për Gjermaninë mbeti një ekip pa shumë traditë, por i fortë vitet e fundit, si Lajpcigu.

Ekipi ish-gjermanolindor, që arriti finalen e Kupës së Kupave në 1987, rezistoi mirë në Rusi ndaj Zenitit.
Në stadiumin e Shën Petersburgut barazoi 1-1 dhe mbrojti suksesin 2-1 arritur në fushën e vet.
Skuadrat e tjera të kualifikuara janë CSKA e Moskës, Sportingu i Lisbonës dhe Salcburgu./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!