Polemika të forta pas fitores së Milanit ndaj Kievos në Serinë A. Vendasit protestuan për golin e Piontekut, ndërsa skuadra milaneze është gjithnjë e më pranë kualifikimit për në Champions.
A thua do ta synojë edhe vendin e dytë?
Kur arrin pesë fitore radhazi, padyshim që mund të mendosh për lart, dhe Milani i Xhenaro Gatuzos po e bën diçka të tillë. Suksesi 2-1 në fushën e Kievos, përtej nervave e polemikave, solli tri pikë të tjera në renditje, pra ngjitjen në kuotë e 56 pikëve, duke afruar edhe më shumë kualifikimin për në Champions.
Kur një ekip arrin të triumfojë pa ndërprerje, do të thotë se ka potencialin, përvojën dhe ekuilibrin e duhur për t’ia dalë. Ky Milan ka edhe një “as nën mëngë”, sulmuesin Piontek, që po vazhdon të realizojë. Polaku u barazua me Kristiano Ronaldon dhe Kualiarelën, si shënuesit më të mirë të Serisë A me nga 19 rrjeta, madje ai nuk ka pasur nevojë për asnjë penallti, në një kohë që portugezi i Juventusit ka pesë gola me 11-metërsh.
“La Gazeta delo Sport”: “Djalli” vishet si Pionteku! Gatuzo i përjashtuar rrezikon të humbasë derbin!
“Il Korriere delo Sport”: Piontek dhe merre në shtëpi! Milani shkëputet përsëri, kalon me golat e Bilias dhe polakut!
Ishte goli i Piontekut që solli polemikat.
Protestat e Kievos ishin të forta, me deklaratat e drejtorit sportiv, Romairone që akuzon për gabime të qëllimshme ndaj skuadrës së tij.
“Na lejoni të humbasim në fushë, jo nga arbitrat”, u shpreh ai.
Analizën e vendimeve të arbitrave e bën “La Gazeta delo Sport” që thotë se goli i Piontekut ishte i rregullt sepse nuk ishte në pozicion jashtë loje. Po ashtu, në goditjen e roveshatës në fillim të aksionit, ishte lojtari i Kievos që shkon drejt topit, ndërsa ky i fundit ishte i milanistit. Milani, gjithsesi pati një minus në këtë ndeshje, përjashtimin e Gatuzos, që rrezikon të mos jetë në derbin ndaj Interit./abcnews.al