Milan, derbi për superkupën/ Kuqezinjtë reagojnë, mundin Juven në gjysmëfinale

schedule13:33 - 4 Janar, 2025

schedule 13:33 - 4 Janar, 2025

Jo gjithmonë ka qenë spektakël, por këtë herë ia vlejti. Juventus-Milan është gjithmonë derbi i Italisë dhe i tillë u luajt në kryeqytetin e Arabisë Saudite, Riad.

E pamundur të parashikohej sesi do të përfundonte gjysmëfinalja e Superkupës së Italisë, dhe të papriturat e përmbysjet ndodhën, dhe fundi i lumtur ishte për kuqezinjtë.

Milani, nën drejtimin për herë të parë të trajnerit të ri Serzhio Konseisao, triumfoi 2-1, pasi u ndodh në humbje, dhe reagimi ndodhi në vetëm pak minuta.

“Zonja e Vjetër” kaloi në epërsi falë talentit turk, Kenan Jildiz në minutën e 21-të, dhe mund të kishte shënuar edhe të dytin.

Ligji i futbollit mbetet që nëse nuk shënon do të pësosh dhe kështu ndodhi. Kristian Pulishiç ktheu në gol një penallti në 71’, ndërsa katër minuta më pas, autogoli I Gatit fiksoi shifrat përfundimtare.

“Il Korriere delo Sport” bën lojë fjalësh në titull: Tiago jashtë, që mund të interpretohet që trajneri i Juventusit u eliminua, ose si kërkesë që ai të japë dorëheqjen!

“La Gazeta delo Sport” titullon: Milan, vazhdo me derbin! Debutim ëndrrash për Konseisaon, të hënën synon Superkupën!

E përditshmja kryesore italiane vë në shënjestër trajnerin bardhezi, Tiago Mota, duke e quajtur fajtor që Juvja e tij ka dy defekte të pafalshëm. Nuk di të menaxhojë ndeshjet kur I ka në dorë, dhe nuk di të mbajë avantazhin kur është minimal.

I ndodhi ndaj Fiorentinës në Serinë A, tani edhe në Superkupë, ndërsa barazimet e shumta janë një konfirmim më shumë. Sa për Milanin, nota ishte tepër pozitive, por është ende herët që të thuhet se trajneri Konseisao do ta shërojë ekipin.

Prova e radhës për teknikun portugez është finalja e Superkupës së Italisë që luhet të hënën po në Riad ndaj Interit. Pra, një derbi. / abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!