Liga e Europës ka sot një duel vërtet klasik. Milani pret Arsenalin e Londrës në stadiumin “San Siro”, në një duel që pritet të jetë i fortë dhe spektakolar.
Edhe në këtë kompeticion gjithçka po shkon mirë.
Milani dëshiron fuqimisht që të vazhdojë të jetë në Ligën e Europës, edhe pse pengesa e radhës është ndër më të vështirat e mundshme, Arsenali i Londrës.
Skuadra italiane, e drejtuar prej 19 ndeshjesh nga Xhenaro Gatuzo, është optimiste përpara sfidës së orës 19:00 në “San Siro”, e ndërgjegjshme se situata ka ndryshuar totalisht.
Ndërsa, londinezët po kalojnë nga disfata në disfatë, lombardët u kualifikuan për në finalen e Kupës së Italisë, ku do të ndeshen me Juventusin.
Po ashtu, Milani ka kthyer faqe edhe në Serinë A, duke rreshtuar rezultatet pozitive e duke ringjallur shpresën për kualifikim në Champions.
Sidoqoftë, Gatuzo mbetet me këmbët në tokë, duke mos harruar të thotë sesi ndihet përpara duelit me kolegun Arsen Venger.
Xhenaro Gatuzo: “Në krahasim me Arsen Vengerin, unë si trajner jam në kategorinë e fëmijëve, pasi ai drejton prej 30 apo 35 vjetësh në nivel shumë të lartë. Arsenali është një skuadër teknike, që pëlqen të sulmojë, dhe që nuk ka shumë dëshirë që të mbrohet. Ne duhet të tregohemi të vëmendshëm që të mos na imponojnë lojën e tyre, dhe kur ta kemi topin, t’i detyrojmë që të vrapojnë, pasi atyre nuk u pëlqen shumë që të vrapojnë. Kam besim tek skuadra ime, pasi ka shumë cilësi”.
Arsenali, në të vërtetë, duket në ditët e tij më të këqija.
Përveç katër humbjeve radhazi, gjendja ndikohet për keq nga mungesat.
Belerin është i dëmtuar, po ashtu si sulmuesi Lakazetë dhe mbrojtësi Monreal.
Trajneri i tij, Venger është hija e atij trajneri të jashtëzakoshëm, që fitoi thuajse gjithçka në Londër, duke luajtur edhe futboll spektakolar.
Francezi veteran madje nuk merr në konsideratë as përvojën e tij të madhe, kur vjen puna tek përballja me Gatuzon 40-vjeçar.
Arsene Venger: “Nuk kam ndërmend t’i jap këshilla Gatuzos, pasi ai ka mjaft përvojë. Ai ka qenë një lojtar i madh këtu në Milano, ndërsa aktualisht ai ka sukses, ndërsa unë jo, ndaj duhet të jem unë që të kërkoj këshilla nga ai. Është e qartë që rezultatet e fundit kanë ndikuar për keq tek ne, pasi lojtarët duan që të fitojnë, jo që të humbasin. Lojtarët i harrojmë shpejt cilësitë e tyre, por ata nuk duhet të shqetësohen për atë që ka kaluar, por të ecin përpara. Nuk duhet të mendojmë për fitoren e Ligës së Europës, por për t’u ndeshur dhe për të pasur sukses ndaj Milanit”.
Projekti kinez i Milanit duket se më në fund po sheh ditë të bardha.
Pronarët nga Kina shpresojnë shumë që të kenë sukses në Europë dhe të rikthejnë në maja një lavdi të madhe si Milani./abcnews.al