MIE nuk heq protokollin! Shoqata e Transportit kundër, rrethet nisin punë me kushte

schedule12:16 - 23 Qershor, 2020

schedule 12:16 - 23 Qershor, 2020

Pavarësisht vendimit të Komitetit të Ekspertëve, Shoqatat e Transportit Publik kanë paralajmëruar se nuk do të nisin punë pa u ndryshuar protokolli i sigurisë, i cili sipas tyre është i pazbatueshëm.

Ata thonë se do të nisin protestat deri sa kushtet e tyre të realizohen. Nga ana tjetër, Ministria e Infrastrukturës nuk tërhiqet nga kushti për zbatimin e protokollit të sigurisë për hapjen e transportit urban.

Në një reagim për ABC News ata thonë se pas vendimit të Komitetit Teknik, transporti Publik është i lirë të fillojë punë, ndërsa do të mbështeten financiarisht siç ka premtuar edhe kryeministri Edi Rama.

LEXO EDHE: Shoqatat e Transportit paralajmërojnë protesta: Nuk nisim punë, protokolli i pazbatueshëm

“Qeveria do ta mbështesë këtë sektor përmes: Njohjes si shpenzim të zbritshëm të 100% të konsumit të naftës Zero taksa dhe po ashtu zero tarifa vendore deri në 31 dhjetor 2020

Brenda 2020 do të kryhet reforma e plotë ligjore/fiskale e sektorit dhe në 1 janar 2021 do të nisë zbatimi i saj me biletën elektronike si hap i parë

Ndalohet kategorikisht rritja e çmimit të biletës për qytetarët”, shkruante Rama.

MIE gjithashtu thekson se po shikon mundësinë për të siguruar edhe mbështetje në ndonjë formë tjetër, e cila do të bëhet menjëherë publike.

Ndërsa përfaqësuesit e transportit në rrethe kanë deklaruar se do të fillojnë nga puna, mirëpo kanë edhe kushte. Ditën e sotme përfaqësues të Transportit Publik në Shkodër janë shprehur se nesër të mërkurën nga ora 06:00 do nisin udhëtimet në drejtim të Tiranës dhe linjave tjera.

Ata shprehen se i kane marrë të gjitha masat për të respektuar protokollet e vendosura. Drejtuesit e autobusëve kërkojnë nga Policia Rrugore të luftojë informalitetin. Ndërkaq, rreth 50 përfaqësues të 33 autobusëve të linjave interurbane të Vlorës kanë dalë sot në një protestë.

Sipas tyre ata do të respektojnë rregullat e protokollit shëndetësor por kanë kushte, ata kërkojnë: “Pagën e luftës pasi ky sektor është nder më të goditurit. Rimbursimin e naftës. Dënojnë konkurencën e pandershme. Por sipas tyre nuk do te ketë rritje të çmimit të biletës.”

Po ashtu edhe përfaqësuesit e transportit në Fier do të fillojnë punën, por kanë kushte. Ata janë shprehur se nëse i japin subvencionim do vazhdojnë, në të kundërt ndërpresin punën./abcnews.al