Microsoft paralajmëron mbylljen e faqes LinkedIn në Kinë

schedule20:51 - 14 Tetor, 2021

schedule 20:51 - 14 Tetor, 2021

Kompania Microsoft bëri të ditur të enjten se më vonë gjatë këtij viti do të ndalë funksionimin e rrjetit social profesional LinkedIn në Kinë.

Rrjeti social profesional, që nisi të funksionojë në Kinë në 2014, po përballet me një “mjedis shumë më sfidues e me kërkesa më të mëdha për t’u pajtuar me rregullore të brendshme”, thuhet në një postim në blog.

Ne kemi pranuar se funksionimi i një versioni të LinkedIn-it për Kinën do të thotë respektim i kërkesave të qeverisë kineze nga platforma“, thuhej në një njoftim të kompanisë. “Ndërsa ne mbështesim fuqishëm lirinë e shprehjes, kemi marrë këtë qasje, në mënyrë që të krijojmë vlera për përdoruesit tanë në Kinë dhe në mbarë botën“.

Por duket se barra rregullatore ndaj kompanisë është rritur shumë.

Në fillim të këtij viti sipas gazetës The Wall Street Journal, entet rregullatore kineze i kishin kërkuar kompanisë të shqyrtonte me më shumë vëmendje përmbajtjen që postohej. Kompania nisi të bllokojë disa përmbajtje e profile të ndaluara nga entet rregullatore kineze, përfshirë edhe profile të gazetarëve.

Por LinkedIn nuk po largohet plotësisht nga tregu kinez. Ai do të ofrojë një platformë të re të quajtur InJobs, e cila sipas agjencisë “Reuters” nuk do t’i lejojë përdoruesit që të ndajnë përmbajtje.

LinkedIn është faqja e vetme mes rrjeteve sociale me qendër në SHBA, që funksionon në Kinë.

Microsoft-i e bleu kompaninë në vitin 2016 dhe kjo faqe ka tashmë 774 milionë përdorues./VOA