Hakerë të lidhur me Qeverinë ruse kanë fituar qasje në emailet e disa zyrtarëve të lartë të Microsoftit, ka thënë ky gjigant amerikan të premten.
Sulmi ka nisur në fund të nëntorit dhe është zbuluar më 12 janar, ka thënë kompania softuerike, përmes një deklarate, shkruan REL.
Hakerët kanë shkarkuar disa dokumente që kanë qenë nëpër emaile, mirëpo kompania nuk ka treguar se kush është prekur prej këtij veprimi, duke përmendur vetëm “një përqindje të vogël të punëtorëve”.
Deri më 30 qershor, Microsofi ka pasur rreth 221.000 punëtorë.
“Microsofti e ka identifikuar kërcëninim si Midnight Blizzard, aktor i sponsoruar prej shtetit rus, që njihet edhe si Nobelium”, ka thënë kompania amerikane.
Microsoft ka thënë se fillimisht hakerët e kanë shënjestruar informacionin që është lidhur me grupin e tyre, dhe më pas e kanë shtrirë operacionin.