Mickoski: E ardhmja e Maqedonisë së Veriut është në BE

schedule22:46 - 21 Tetor, 2024

schedule 22:46 - 21 Tetor, 2024

Kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski, ka thënë se e ardhmja e Maqedonisë së Veriut është në Bashkimin Evropian dhe që shteti ka bërë shumë kompromise dhe hapa që dëshmojnë përkushtimin e vendit në këtë drejtim.

Ai i ka bërë këto deklarata në Samitin e 20-të Evropian, të mbajtur të Salsburg të Austrisë, kushtuar të ardhmes dhe reformave të BE-së.

“E ardhmja e rajonit është në transformimin ekonomik dhe politik dhe në lidhjen e ndërsjellë. Ne po luftojmë që kompanitë maqedonase të dalin përtej kufijve, të ndihmojnë eksportet dhe të tërheqin kapital të huaj. Deri më tani në këtë periudhë të shkurtër kemi treguar rezultate dhe së bashku do të bëjmë shumë më tepër”, ka thënë Mickoski në një postim në Facebook.

Ai ka thënë se pas takimeve me zyrtarë evropianë dhe vetë shefen e BE-së, Ursula von der Leyen, do të bëjë një “analizë të hollësishme” dhe do t’i kërkojë më pas BE-së që të zhbllokohet procesi integrues i Maqedonisë së Veriut në bllokun evropian.

“Bashkëbiseduesve ua përcolla përkushtimet dhe synimet tona drejt rrugës evropiane të Maqedonisë [së Veriut]. Evropa duhet t’i hapë dyert për vendet që bëjnë hapa përpara”, ka thënë Mickoski.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!