Michelle Obama: Kompanitë e mediave sociale, ta bllokojnë përgjithmonë Trump-in!

schedule22:42 - 7 Janar, 2021

schedule 22:42 - 7 Janar, 2021

Michelle Obama është shprehur se kompanitë e mediave sociale duhet t’i mohojnë aksesin Trump-it, në mënyrë definitive

Ish-zonja e parë e SHBA-ve, bëri një deklaratë në Twitter sot rreth trazirave të djeshme në Kapitol dhe u bëri thirrje kompanive të mediave sociale ta lënë jashtë platformave të tyre presidentin Donald Trump.

“Tani është koha që kompanitë e Silicon Valley të ndalojnë mundësimin e kësaj sjellje monstruoze – dhe të shkojnë edhe më larg sesa kanë bërë tashmë duke e ndaluar  përgjithmonë këtë njeri nga platformat e tyre,” tha ajo.


Facebook dhe Twitter ndërmorën të mërkurën hapin e mbylljes së llogarisë së Trump në platformat e tyre pasi mbështetësit e tij sulmuan ndërtesën e Kapitolit për të protestuar ndaj rezultatit të zgjedhjeve.

Twitter tha se ka bllokuar llogarinë e Trump për 12 orë dhe paralajmëroi për herë të parë që mund ta pezullojë atë përgjithmonë.

Facebook gjithashtu bllokoi Trump që të postonte në platformën e tij për 24 orë, pasi hoqi një video që ai postoi për mbështetësit e tij që morën pjesë në protestat. Më tej, drejtuesi dhe themeluesi i Facebook, Mark Zuckerberg njoftoi se bllokimi i llogarive të Trump do të vijojë për të paktën edhe dy javë. s.b/abcnews.al/