Metani: Kur politika nuk gjen kufijtë e saj, drejtësia duhet të ruajë pavarësinë e institucioneve

schedule15:45 - 10 Maj, 2021

schedule 15:45 - 10 Maj, 2021

Kreu i ILD, Artur Metani gjatë fjalës së mbajtur në aktivitetin e organizuar Ditën e Drejtësisë, u shpreh se gjyqtarët dhe prokurorët kanë një punë të vështirë, ndërsa shtoi se sot nuk duhen harruar problemet që ka drejtësia shqiptare.

Metani gjithashtu deklaroi se në shoqërinë shqiptare ka më shumë nevojë për gjyqtarë e prokurorë, pasi politika e ka të vështirë të gjejë kufijtë e vet, prandaj duhet vendosur drejtësi.

Pjesë nga fjala:

108 vjet më parë, nënshkruesit e Pavarësisë dhe etërit e krijimit të shtetit shqiptar, hartuan bazën ligjore të organizimit të sistemit gjyqësor në Shqipëri.

Në shenjë respekti për këtë akt historik dhe normat juridike të krijuara prej tij, 10 Maji kujtohet, nderohet dhe festohet. Kjo nuk do të thotë se sot të harrojmë problemet që ka sistemi dhe nevojën për ta përmirësuar atë, por mendoj se tërë vitin, për një gjë të tillë flasim dhe përpiqemi. Sot është ditë feste dhe reflektimi.

Unë gjej rastin t’i uroj gjyqtarëve, prokurorëve dhe punonjësve të tjerë që lidhen me drejtësinë, Ditën e Drejtësisë, dhe t’i inkurajoj të gjithë, për më shumë motivim e me shumë angazhim në punën e tyre fisnike. 

Gjyqtarët dhe prokurorët kanë një punë të bukur, frymëzuese dhe të vështirë. E tillë është!

E bukur sepse nëpërmjet profesionit të tyre, ata ndihmojnë njerëz për zgjidhjen e problemeve të tyre.

Është e bukur sepse me profesionin e tyre, ata janë pjesë e dhënies së drejtësisë, e kësaj vlere të shenjtë dhe vitale për funksionimin e një shoqërie demokratike.

Është edhe frymëzuese, pasi shoqëria jonë sot ka nevojë për më shumë gjyqtarë dhe prokurorë, që të transmetojnë dhe të ngjallin besim dhe optimizëm tek publiku për sistemin e drejtësisë.

Është padyshim edhe e vështirë! Në një shoqëri, ku politika e ka të vështirë të gjejë kufijtë e vet, janë njerëzit e drejtësisë, ata duhet të ruajnë pavarësinë e institucioneve të demokracisë. Janë ata që duhet të ruajnë parimet e ndarjes së pushteteve dhe pavarësisë së institucioneve. Shpeshherë, këto parime janë delikate dhe të vështira për t’u gjetur në formë të shkruar në Kushtetutë apo ligje të tjera.

Por, për këtë arsye, puna e gjyqtarëve dhe e prokurorëve është e bukur dhe e vështirë.  Gjetja e frymës dhe shpirtit të ligjit, të kushtetutshmërisë së akteve ligjore dhe mënyrë së sjelljes së institucioneve, ashtu si ç janë mësuar në tekstet e rinj dhe të vjetër të Aristotelit, të John Lock-ut apo Baronit Monteskie, deri në jurisprudencën e Gjykatave të rëndësishme në botë, si ajo e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, apo Gjykata e Lartë Amerikane, është padyshim një sfidë intelektuale dhe profesionale, intriguese, por dhe e vështirë.

Por, mendoj se nëse udhërrëfyes do të jenë Kushtetuta dhe jo politika, nëse do t’i rezistohet përpjekjeve të politikës apo interesave të tjera, që do të kërkojnë të imponojnë vendimmarrjen dhe paanësinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve, nëse do të ruhen të pastra interesat e dhënies së drejtësisë, të shenjta këto për çdo jurist, atëherë, i është bërë një shërbim shumë i madh demokracisë, i është bërë një shërbim shumë i madh vendit.

Nga ana tjetër, mendoj se është e nevojshme, që rëndësia e kësaj pavarësie, të pranohet së pari nga vetë gjyqtarët. Gjyqtari i famshëm amerikan Learned Hand, ne vitin 1944 fliste për shpirtin e lirisë dhe shprehej se: “Nëse liria vdes në zemrat e njerëzve atëherë nuk ka kushtetutë, ligje apo gjykatë që ta shpëtojë atë.” Unë dëshiroj t’u them gjyqtarëve, se nëse ata vetë nuk janë të ndërgjegjshëm për forcën e madhe, që i jep pavarësia e dhënies së drejtësisë zhvillimit të shtetit dhe shoqërisë, atëherë as kushtetuta dhe as ligjet nuk mund të bëjnë dot gjë.

Nëse vetë magjistratët nuk janë të bindur për rëndësinë që ka pavarësia e tyre për konsolidimin e një shoqërie të drejtë, atëherë as kushtetuta dhe as ligjet nuk mund të bëjnë dot gjë.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!