Meta uron Presidenten e re të KE-së

schedule09:10 - 17 Korrik, 2019

schedule 09:10 - 17 Korrik, 2019

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka uruar Presidenten e re të Komisionit Europian, Ursula von der Leyen pas zgjedhjes së saj në këtë post. Sipas tij është rast fatlum që KE drejtohet për herë të parë nga një femër. Gjithashtu, Meta i shpreh von der Leyen mirënjohjen për qëndrimin e saj në procesin integrues të Shqipërisë.

“Zgjedhja Juaj në postin e Presidentes së Komisionit Evropian, më jep kënaqësinë e veçantë t’ju përcjell urimet më të mira e të përzemërta për përmbushjen me sukses të kësaj detyre të lartë.

Është rast fatlum që Komisioni Evropian, për të parën herë, do të drejtohet në pesë vitet e ardhshme nga një grua që mishëron përvojën e drejtimit të suksesshëm dhe vlerat më përfaqësuese të Bashkimit Evropian, në një kohë sfidash të shumta e të shumëllojshme për kontinentin dhe mbarë botën.

 Si President i një vendi që synon çeljen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian, përfitoj nga rasti t’ju shpreh mirënjohjen për qëndrimin tuaj në mbështetje të këtij procesi, si dhe për vijimin e politikës së zgjerimit drejt Ballkanit Perëndimor”, thotë Meta.

Gjithashtu ai siguron se do të jetë i angazhuar për të nxitur reformat në vendin tonë.

“Njëkohësisht Ju siguroj për vijimësinë e angazhimit tim për nxitjen dhe mbështetjen e plotë të reformave që afrojnë Shqipërinë dhe shqiptarët me Bashkimin Evropian, nën modelin e standardeve të pakompromentueshme evropiane të demokracisë dhe sundimit të ligjit.

 Duke shprehur gjithashtu kënaqësinë e veçantë që Komisioni Evropian do të drejtohet nga përfaqësuesja e një vendi mik dhe partner strategjik, Gjermania, Ju lutem e nderuar zonja Presidente, pranoni, shprehjen e konsideratës sime më të lartë”, përfundon Meta./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!