Perspektiva europiane e Kosovës ishte kryefjalë e takimeve që Presidenti Meta zhvilloi gjatë vizitës së tij në Kosovë. Në funksion të kësaj perspektive kreu i shtetit shqiptar vlerësoi se institucionet e Kosovës duhet të gjejnë zgjidhje të mençura dhe të përafrojnë vendin me integrimet evropiane. Gjatë takimit me Kryeministrin Haradinaj, Meta shprehu besimin në angazhimin e mëtejshëm te Prishtines për të dhënë zgjidhje të mençura për të gjitha ato çështje të cilat do ta forcojnë pozitën ndërkombëtare të Kosovës.
“Mund t’i sigurojmë Kosovës për mbështetjen tonë maksimale, gjithmonë në koordinim me Kryeministrin, me Presidentin dhe Parlamentin e Kosovës dhe të gjitha institucionet këtu”, – theksoi Presidenti Meta. Gjithashtu, Presidenti Meta tha se ndodhet për vizitë në Kosovë në përvjetorin e 12-të të vdekjes së presidentit Ibrahim Rugova, duke theksuar kështu rëndësinë e kujtimit të vlerave të tij./abcnews.al