Presidenti Ilir Meta është takuar sot me ambasadorin e Ukrainës në Tiranë Volodymyr Shkurov. Meta shkruan se kanë diskutuar për situatën në Ukrainë duke ndarë shqetësimin e përbashkët për një agresion të mundshëm rus.
Meta thotë se Shqipëria si vend anëtar i NATO-s dhe anëtar jo i përhershëm i këshillimit të sigurimit të Kombeve të Bashkuara është në krah të Ukrainës dhe në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial.
“Sot prita Ambasadorin e Ukrainës në Tiranë, Sh.T.Z. Volodymyr Shkurov. Diskutuam kryesisht për situatën në dhe rreth Ukrainës. Ndamë shqetësimin e përbashkët për kërcënimin e një agresioni të mundshëm rus ndaj Ukrainës mike, në shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare.
U informova nga Ambasadori dhe përgëzova për përpjekjet e vendit të tij për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet nëpërmjet negociatave dhe në rrugë paqësore, përfshi në kuadër të formateve shumëpalëshe ekzistuese.
Konfirmova se Shqipëria, edhe si vend anëtar i NATO-s dhe anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, është në krah të Ukrainës në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të saj”, shkruan Meta. /abcnews.al