Meta: S’më tremb as drejtësia jashtëtokësore

schedule17:34 - 9 Janar, 2018

schedule 17:34 - 9 Janar, 2018

Presidenti Ilir Meta akuzoi mazhorancën socialiste se po përpiqet që të dështojë reformën në drejtësi, duke fajësuar për këtë të tjerët. I pyetur nëse i trembet drejtësisë së reformuar, Meta tha se Kryeministri Rama ishte i qartë se përgjigjia për këtë ishte mohuese.

Ilir Meta nuk qëndroi në heshtje përballë akuzave të Edi Ramës për reformën në drejtësi. Pak ditë pasi Kryeministri e rreshtoi mes atyre që nuk e donin këtë reformë, arsye për të cilën, sipas Ramës u prish edhe aleanca brenda të majtës, Presidenti i Republikës, ka një tjetër lexim, duke nisur nga votimi vetëm me votat e PS-së të Kryeprokurores së përkohshme, Arta Marku.

Ilir Meta: “Duket sikur jemi kthyer përpara 21, 22 Korrikut të vitit 2016, ku për fat të keq diku me një mungesë transparence, diku me një dredhi, diku me forma nga më të ndryshmet kishim gjithmonë përpjekje jo për të bërë një reformë me konsesus dhe sipas rekomandimeve të Venecias, që ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, por thjesht për të bërë një reformë dhe për të faturuar fajin diku tjetër.”

Pyetjes direkt nëse ai i trembej drejtësisë së reformuar, Meta i dha këtë përgjigje.

Ilir Meta: “Besoj se zoti Rama e di shumë mirë këtë gjë dhe nuk besoj se e ka patur me mua. E dinë dhe të tjerë, nuk ka fuqi jashtëtokësore jo tokësore që të më trembë mua as me drejtësi dhe as me padrejtësi. Unë jam një politikan që jam ballafaquar më drejtësinë, të cilit i janë shkelur të drejta, i cili ka kërkuar vetë të hetohet dhe jam këtu ku jam dhe do të vazhdoj të jem në politikë për një kohë të gjatë.”

Ish-lideri i LSI-së, tashmë Kryetar i Shtetit, theksoi se si politikan i vetmi shqetësim që ka është drejtësia e popullit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!